Europa Post- Charlie Hebdo

Disa nga arsyet se përse kontinenti ynë është më i ekspozuari ndaj sulmeve terroriste. Mënyrat dhe format e depërtimit tw elementeve terroristë nw kontinetin evropian…?!
Nga Iv Kaloçi
U mbushën plotë 17 ditë që nga sulmi i tmerrshëm terrorist mbi zyrat e redaksisë së gazetës satirike franceze Charlie Hebdo, sulm i cili u pasua nga dy pengmarrje të tjera, të cilat përfunduan tragjikisht. Vdekja e 20 personave, përfshi këtu edhe tre pengmarrësit, do t’i jepte këtij sulmi një karakter tepër të egër ekstrem për një kryeqytet elegant europian siç është Parisi, i pamësuar me ngjarje të tilla që prej 54 vitesh. Vetë francezët, u dukën sikur i kishin fashitur njëherë e përgjithmonë pamjet e përgjakshme në rrugët dhe bulevardet e kryeqytetit të tyre që nga shtypja e dhunshme e demonstratave pro-algjeriane nga ana e policisë dhe ushtrisë në tetorin e largët të vitit 1961. Por, pas afro gjashtë dekadash, fantazma e sulmeve të frikshme u rikthye mbi botën idilike pariziene, për të treguar edhe një herë rrezikun e “Shpatës së Demokleut” që prej vitesh i vërvitet Europës nga organizatat e ndryshme terroriste dhe së fundi, kryesisht nga ato fondamentaliste islamike. Por arsyet e vërteta se përse kontinenti europian, është kaq i ekspozuar ndaj sulmeve të tilla terroriste, ndryshe nga kontinentet e tjera të botës, janë të shumta dhe tejet komplekse. Së pari, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, dhe deri në kohët e sotme, Europa është përfshirë nga rreth 500 sulme terroriste të kryera nga organizata të ndryshme me karakter të majtë, të djathtë, separatist, dhe fondamentalist. Të gjitha këto organizata terroriste, kanë arritur të depërtojnë në kontinentin europian me lehtësi gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, pasi, vetë Europa do të ishte padyshim epiqendra e ndarjes së Botës në dy blloqe politiko-ushtarake dhe ekonomike, BE dhe NATO e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga njëra anë dhe Traktati i Varshavës dhe KNER i udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik nga ana tjetër. Për këtë arsye Europa ishte një terren tejet i lehtë për depërtimin dhe aq më tepër krijimin e këtyre organizatave terroriste, pasi mungonte totalisht koordinimi politik, ekonomik, dhe ushtarak ndërmjet këtyre dy blloqeve. Së dyti një tjetër arsye e rëndësishme e zhvillimit të aktivitetit masiv të organizatave të ndryshme terroriste në shtetet e Europës dhe sidomos në ato Europiano-Perëndimore, është edhe proçesi i De-kolonializmit i nisur pas Luftës së Dytë Botërore dhe i përfunduar në vitet ‘60-të. Proçesi i De-kolonializmit dhe dalja në skenë e aktorëve të rinj në arenën gjeo-politike dhe gjeo-ekonomike globale, si; SHBA-ja, Bashkimi Sovjetik, Kina, Australia, Kanada-ja dhe shtete të fuqishme të Amerikës Latine, ndikuan “negativisht” dhe zbehën ndjeshëm rëndësinë e madhe politike dhe ekonomike që kishte Europa deri në zhvillimin e Luftës së Dytë Botërore. Shtylla kryesore e funksionimit dhe ruajtjes së sigurisë së një shteti dhe shtetasve të tij, janë Shërbimet Sekrete, dhe Forcat e Armatosura. Pikërisht këto dy komponentë tejet të rëndësishëm të veprimtarisë normale të një shteti, pas vitit 1945 në mbarë Europën ranë ndjeshëm duke ja lënë vendin CIA-s amerikane dhe KGB-së sovjetike. Shkatërrimi i sistemit kolonial europian në shek e XX, do të t’i “linte ironikisht” pa ndonjë kundërshtar të rëndësishëm shtetet më të fuqishme të kontinentit si Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Spanjën, dhe Italinë. Dhe kjo pasi, vetë SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik do të ishin të pranishme superiorikisht në numër dhe potencialisht në teknologji nëpërmjet bazave të ndryshme në kontinentin europian ç’ka do t’i kategorizonte në faktorë të “Dorës së Dytë” shtetet europiane. Shërbimet Sekrete dhe Forcat e Armatosura të vendeve Europiano-Perëndimore, gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë (veço këtu luftën tre mujore të Britanisë me Argjentinën në ishujt Falkland dhe konfliktin e shkurtër Franko-Algjeriane) nuk morrën pjesë direkt në luftime nëpër konfliktet e ndryshme që zhvilloheshin në mbarë botën gjatë viteve 1945-1990. Çka do të çonte automatikisht në dobësimin dhe venitjen e shërbimeve sekrete dhe ushtrive europiane përballë rrezikut të sulmeve terroriste që vetë këto vënde do të provonin përgjatë dekadave. Së treti, Europa e bashkuar sidomos pas rënies së Murit të Berlinit dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, u përball me një vale të pazakontë emigrimi të njerëzve që vinin kryesisht nga Europa Lindore, Ballkani, Afrika e Veriut, dhe Lindja e Mesme, ç’ka bëri të mundur një depërtim të lehtë të elementëve terroristë drejt kryeqyteteve europiane. Ky aspekt do të çonte automatikisht në krijimin e filialeve dhe celulave të ndryshme terroriste në këto vënde. Por zanafilla e historisë së ballafaqimit të Europës me terrorizmin, fillon që në periudhën e Luftës së Ftohtë në të ashtuquajturën terrorizmin ideologjik dhe separatist europian. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, Europa Perëndimore u mbërthye nga një vale e egër sulmesh dhe revoltash të armatosura, që përveç viktimave të shumta që shkaktuan, arritën deri aty sa të vinin në pikëpyetje edhe vetë sigurinë dhe ekzistencën kombëtare të këtyre shteteve. Italia dhe Spanja do të ishin shtetet më të prekura nga ky fenomen, pasi prania e fuqishme e krimit të organizuar dhe brigadave të ekstremit të majtë e të djathtë (në Itali), si dhe ekzistenca e rajoneve separatiste baske dhe katalanase (në Spanjë), do t’i vinin Romën dhe Madridin zyrtar shpesh-herë në gjëndje shtetrrethimi. Por edhe në shtete më të fuqishme si dhe më të mirë-konsoliduara, siç janë Gjermania, Britania e Madhe, dhe Franca grupet e ndryshme terroriste kanë arritur që me anë të dhunës dhe atentateve të ndryshme të përgjakshme ndër vite, të vënë seriozisht në alarm sigurinë në kontinenti europian. Për këtë arsye vetëvetiu lind pyetja; Nëse në Europë ekziston një sistem i unifikuar ekonomik dhe doganor siç është Bashkimi Europian, apo një unifikim ushtarak siç është NATO, atëherë a është nevoja që krahas tyre të ekzistojë gjithashtu edhe një sistem i unifikuar për Shërbimet e Inteligjencës europiane ? Në pothuajse çdo shtet të Europës, organizatat terroriste ndër vite kanë arritur të ushtrojnë fuqishëm aktivitetet e tyre. Vlen këtu për tu përmendur IRA në Britaninë e Madhe, Fronti për Çlirimin Kombëtar të Algjerisë në Francë, ETA në Spanjë, Brigadat e Kuqe dhe të Zeza krahas mafias në Itali, Ujqërit Gri në Turqi, 17 Nëntori në Greqi, bandat çeçene dhe ingushe në Rusi etj. Gjatë viteve ‘90-të në Europë, shumë nga këto organizata terroriste e pushuan aktivitetin e tyre, duke ja lë vëndin një prej llojeve më të ashpra dhe njëkohësisht edhe më të sofistikuara të veprimtarisë së terrorizmit, atij forndamentalist islamik e përfaqësuar nga Al-Qaeda dhe kohët e fundit edhe nga ISIS. Sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA, hapën gjithashtu zyrtarisht një epokë të re të luftës anti-terrorizëm në mbarë botën. Padyshim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një lider absolutë në këtë “Luftë Asimetrike” siç e ka përshkruar me saktësi ish-sekretari amerikan i shtetit Zbigniew Brzezinski, për konfliktin e Bashkimit Sovjetik në Afganistan në vitet ‘80-të. Prania e trupave ushtarake amerikane në Europë në kuadrin e NATO-s dhe të bashkëpunimit për fushatën e luftës anti-terror, e ka bërë absolutisht më të sigurt mbarëvajtjen e paqjes dhe sigurisë në kontinent. Por sulmet terroriste në metrotë e Madridit, Londrës, Moskës, si dhe sulmi i fundit mbi zyrat e redaksisë së gazetës Charlie Hebdo në Paris, kanë ngritur seriozisht pyetjen nëse duhet të ketë një sistem të mirëfilltë të unifikuar të Shërbimeve Sekrete Europiane apo jo?! Krijimi i një sistemi unik të Agjencive të Inteligjencës Europiane, padyshim që do të rriste vetvetiu nivelin e ruajtjes së paqjes dhe sigurisë jo vetëm në hapësi
rat e kontinentit europian por edhe më gjërë. Gjithashtu një politikë e re për integrimin e shpejtë të emigrantëve që vijnë nga zonat e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme në vëndet ku ata emigrojnë, do të ulte ndjeshëm rrezikun e përfshirjes së kësaj kategorie në strukturat e organizatave të ndryshme terroriste dhe fondamentaliste islamike. Por edhe klima islamofobike e përhapur kohët e fundit në disa segmente ekstremiste të shoqërive europiane ka ndikuar negativisht për një marrëdhënie sa më normale midis komuniteteve të emigrantëve me përkatësi religjioze myslimane dhe popujve të krishterë të Europës Perëndimore. Pavarësisht këtyre aspekteve lufta ndaj terrorizmit, ka qenë, është, dhe do të mbetet si një prej sfidave më të vështira jo vetëm të shteteve të kontinentit europian, por të mbarë njerëzimit të botës moderne.

SHKARKO APP