Eurot dhe gjyqtari
Janë 25 vendime ku gjyqtarët dhe gjykatat ose kanë dhënë “arrest shtëpie” ose kanë liruar në sallën e gjyqit persona të akuzuar për tentativë vrasje, plagosje, prostitucion dhe abuzime të tjera të rënda. Një letër e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtuar kreut të shtetit Bujar Nishani, paraqet raste flagrante të vendimeve të gjykatave shqiptare dhe gjyqtarëve, që në mënyrë të çuditshme kanë vendosur lirimin, apo uljen e dënimeve të kriminelëve. Në listën e Ministrisë së Brendshme jepen emrat e 14 gjyqtarëve që kanë vepruar në këtë mënyrë.
Disa prej tyre kanë dhënë vendime lehtësuese për shkelësit e ligjit në mënyrë të përsëritur. Teksa lexon listën e dërguar nga Ministri Tahiri, nuk e kupton se kush janë kriminelët; ata që janë paditur nga Prokuroria dhe Policia Gjyqësore, apo gjykatësit që kanë firmosur lirimin e tyre në mënyrë flagrante. Mes personave të arrestuar bien në sy individë që akuzohen për “shfrytëzimit të prostitucionit”, “armëmbajtje pa leje”, “plagosje me dashje”, “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “vjedhje”, “organizim i paligjshëm i lojërave të fatit”, “kundërshtim i forcave të policisë”, e deri tek “drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.
Në të gjitha rastet Prokuroria ka kërkuar marrjen e masave më të ashpra ndaj të pandehurve, por gjyqtarët kanë tejkaluar çdo parashikim ligjor, duke i lënë të lirë, ose duke i dërguar me “arrest” në shtëpi. Duke ju referuar rasteve të bëra publike, rezulton se vendimet e gjykatave, nga garantuese të sigurisë janë kthyer në një kërcënim për qytetarët, pasi kanë lënë të lirë rrugëve persona me pecedentë të rrezikshëm.
Listës me ankesa të Ministrit të Brendshëm, Presidenti i Republikës, i cili është dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i është përgjigjur mbrëmjen e djeshme me disa sugjerime. Së pari, kreu i shtetit kërkon që ankesat për gjyqtarët ministri Tahiri t’i dërgoi tek kolegu i tij, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Madje, zoti Nishani i sugjeron se mes ministrave të kabinetit “Rama” duhet të ketë më shumë bashkëpunim, duke bërë dhe paksa diversion mes Tahirit dhe Naços. “Institucioni i Presidentit të Republikës do të dëshironte të shihte një koordinim dhe bashkëveprim të drejtpërdrejtë midis ministrave të qeverise për çështjet që ligji i ngarkon, por mbetet i gatshëm të angazhohet për ta lehtësuar këtë bashkëpunim të tyre”,- thuhet në reagimin e kreut të shtetit. Së dyti, kreu i shtetit shprehet se për çdo vërejtje që mund të kenë për drejtësinë, institucionet duhet ti paraqesin në tryezën për reformën e drejtësisë. Fill pas reagimit të Presidentit, ka reaguar menjëherë Ministria e Brendshme duke i kujtuar Presidentit se “jeni edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe duhet ti analizoni këto raste si dhe merrni masa ndaj tyre”.
Lista me emrat e gjyqtarëve, e cila është publikuar nga Ministria e Brendshme, vjen në pikun e debatit për reformën në drejtësi dhe në momentin kur sondazhet në publik e cilësojnë pushtetin gjyqësor si më të korruptuarin në vend. Këtë të enjte, Parlamenti miratoi shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përkatësisht nënkryetarit Elvis Çefa dhe anëtarit Lulzim Lelçaj. Shkarkimi i tyre, mes të tjerash, u bë më argumentin se kanë promovuar dhe rritur në detyrë gjyqtarë pa pasur kriteret e mjaftueshme profesionale dhe ligjore. Pavarësisht pretendimeve të dy anëtarëve të KLD-së, fakti që gjykatat japin vendime si këto që paraqet Ministria e Brendshme do të thotë se një pjesë e gjyqtarëve nuk e meritojnë më të jenë në këtë detyrë. Madje, nuk kanë fare lidhje me drejtësinë.
Mazhoranca është vënë në qendër të akuzave të opozitës dhe denoncimeve të saj në institucionet ndërkombëtare për drejtësinë. Nga selia blu, ka kritika të forta për qëndrimet e qeverisë ndaj organeve të drejtësisë, duke i cilësuar si ndërhyrje në pavarësinë e këtyre institucioneve. Mund të ndodh që deklaratat politike të zyrtarëve të mazhorancës të kenë qenë të ashpra. Por askush nuk e mohon se drejtësia që japin sot gjykatat është shumë larg asaj që kërkojnë qytetarët.
Rastet e publikuara dje nga Ministria e Brendshme janë vetëm një pjesë e vogël e abuzimeve me ligjin. Janë me mijëra vendime të tjera. Në shumë prej vendimeve gjyqtari nuk shikon ligjin, por pakon e eurove se kush e ka më të madhe. Madje, me humor mes komunitetit të gjyqtarëve të tillë thonë se; është rregull, se cila palë sjell me kokë “500-she” eurot, ai e fiton gjyqin. Kaq hapur e paturpësisht i bëjnë vendimet disa gjyqtarë, aq sa edhe vetë kriminelët nuk guxojnë ti bëjnë nëse do të ishin në rolin e gjyqtarit.
Çekiçi i drejtësisë duhet të bjerë mbi kokën e shkelësve të ligjit dhe jo si në disa raste, kur vendimet janë krejt absurde. Edi Rama ka premtuar reformë drastike në drejtësi, por duhet kohë që kjo të shkojë deri në fund, pasi shumë faktorë politikë fusin gurë në udhën e nismës kryeministrore.
Ka nevojë që disa gjyqtarë që janë problematikë dhe kanë dhënë vendime duke përfituar para dhe interesa të tjera klinteliste të arrestohen. Këto masa do të ishin shembull për këdo, që të mos guxojnë të shkelin ligjet.
Lista e Ministrisë së Brendshme për gjyqtarët që kanë dhënë vendime të pabazuara në ligj
Adelina Zarkaj
Andri Ymeri
Halil Vani
Mirela Iliopulli
Olkeda Manellari
Tonin Strekaj
Dritan Hasani
Altin Shkurti
Mariana Shegani (Dedei)
Besnik Qira
Miljana Muçaj
Piro Sota
Andi Pogaçe
Pajtime Fetahu