Eva Dumani riatdhesohet pas 12 vitesh, Gledis Nano për kampin në Siri: Ende ka familje shqiptare
Eva Dumani kishte mbetur e vetme në kampin famëkeq “Al-Hol” në Siri, por pas 12 vitesh është rikthyer në Tiranë pranë nënës dhe vëllait të saj. Ajo ishte rrëmbyer nga babai i saj xhihadist dhe ishte dërguar në Siri, ku jetoi për vite me radhë në kushte ekstreme në kampin e refugjatëve dhe familjarëve të ish-luftëtarëve të ISIS-it. Gledis Nano, i cili në rolin e kreut të Antiterrorit mori pjesë në shpëtimin e Endri Dumanit, vëllait të Evës, nga kampi xhihadist, foli për Report Tv, ku rrëfeu sfidat me të cilat u përball gjatë operacionit.
“E vetmja rrugë nga e cila ne mund të shkonim në Siri ishte Libani në atë kohë. Për shkak të situatës së krijuar në Siri verilindore, bashkëpunuam me kolegët libanezë, të cilët dhanë një ndihmë shumë të madhe për atë operacion. Në fakt janë kryer me sa kuptoj, me sa kujtoj katër operacione. Në ato vite, i pari (operacion), ka filluar me shpëtimin e një djali Alvin Berisha, i cili derisa ishte rezident i Italisë, u vendos që të shkoi në Itali pranë babait të tij, më pas vazhduam me operacionin e dytë, i cili ka zgjatur pesë javë. U shpëtuan disa persona shtetas shqiptarë ndërmjet tyre dhe Endri Dumani.
Ne gjatë gjithë kohës që kemi qëndruar në Liban dhe përgjatë gjithë kohës që kemi planifikuar apo menduar lidhur me këtë operacion, kemi punuar për të marrë informacion, për vendosjen e personave që ndodheshin në kamp. Në fakt kemi kontrolluar tre kampe, në atë kohë Alhol, Rozhë dhe një kamp tjetër, dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve ndodheshin në kampin Alhol, i cili ishte vendi më i vështirë për t’u kontrolluar nga ana jonë, sepse kishte një sipërfaqe shumë të madhe me një popullsi prej rreth 70.000 banorë të sistemuar në çadra”,– tha Nano për ”Report Tv”.
Ish-kreu i Antiterrorit tregon se ka informacione serioze që në kamp ka ende shumë familje shqiptare. “Në dijeninë time ka ende disa familje të cilat një pjesë e tyre nuk janë të gatshëm të kthehen, nuk duan të kthehen, dhe një pjesë edhe pse duan të kthehen, është një situatë shumë e ndërlikuar aktualisht në atë zonë, e cila e bën të vështirë një operacion të radhës për t’i kthyer këto familje, jo më larg se muaji i kaluar, mund ta keni ndjekur edhe në media. Po kampi është sulmuar dhe një pjesë e këtyre personave janë larguar nga kampi, një pjesë e banorëve të kampit. Ku situata nuk është, nuk është aq e lehtë”,-tha Nano.
KOHA JONË SONDAZH

