Falimenti, shtohen rastet në Gjykatën e Tiranës

Numri i bizneseve që kanë aplikuar për faliment në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ka ardhur në rritje. Nga fillimi i vitit e deri tani, në total janë regjistuar 35 çështje, nga të cilat 13 janë të reja. Aktualisht në gjykatë janë duke u shqyrtuar çështje të falimentit në ngarkim të shoqërive, si: Volalba, Albanian Airlines, Havas-Havaalanlari Yer Hizmetleri A.S, al.p.in sh.p.k, Italkrom Albania sh.p.k, G&T sh.p.k, Praktiker, etj.

Në total, për periudhën janar – gusht 2016, janë regjistruar 11,804 çështje, nga të cilat 6,812 janë të reja, ndërsa 4,787 të mbartura. Numri më i madh i çështjeve të reja të regjistruara gjatë kësaj periudhe i përket atyre me natyrë kontraktuale 1,273, ndërsa çështje që kanë të bëjnë me shkaktim dëmi rreth 463.

Në rritje gjatë periudhës janar – gusht kanë qenë edhe çështjet që kanë pasur në themel marrëdhëniet e punës, të reja, të mbërritura në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë janë regjistruar 549.

Përgjithësisht kreditorët, por edhe aktorët që merren me zbatimin praktik të ligjit “Për falimentin”, si gjyqtarët, avokatët, administratorët e falimentit etj., janë shprehur se ligji ekzistues është kompleks, me shumë rregulla të detajuara, vështirësisht për t’u kuptuar, me terma të paqartë dhe shpesh kontradiktorë, me shumë referenca, shpesh të pasakta, dhe shumë i vështirë për t’u vënë në zbatim. Pra, nuk është shfrytëzuar nga biznesi.

Ligji i ri për Falimentin është diskutuar vetëm në parim në komisionet kuvendore dhe pritet që të shkaktojë diskutime.

SHKARKO APP