Familja apo miqtë, kush është më i rëndësishëm
Lidhjet e forta familjare dhe të miqësisë janë parë gjithmonë si burim lumturie, por sipas një studimi të ri, miqtë mund të jenë më të rëndësishëm edhe se vetë familja.
Studiues të Universitetit Shtetëror të Michiganit kanë zbuluar se, sa më shumë rritet njeriu, aq më e rëndësishme është për të miqësia dhe ndikimi i saj tek shëndeti dhe lumturia.
“Miqtë bëhen edhe më të rëndësishëm sa më shumë rritemi,” thotë William Chopik, asistent profesor psikologjie në Universitetin e Miçiganit. “Të rrethohesh nga pak miq shumë të mirë mund të ketë një ndikim shumë të madh në shëndetin dhe mirëqenien tonë. Është mirë të investojmë në miqësitë që na bëjnë të lumtur,”– thotë profesori.
Studiuesit dolën në këto përfundime pasi vëzhguan 271,000 pjesëmarrës në studimin për shëndetin dhe lumturinë, si dhe afërsisht 7,500 pjesëmarrës të tjerë në studimin për rolin që luajnë marrëdhëniet njerëzore tek të rritur që vuajnë nga sëmundje kronike.
Në grupin e parë, si familja, ashtu edhe miqtë kishin ndikimin e tyre në shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme, por në grupin e dytë, miqësitë “rezultuan si një faktor më i rëndësishëm për një shëndet të mirë dhe lumturinë në moshat e mëdha.”
Gjithashtu, në grupin e dytë, studiuesit thanë se miqësitë e tensionuara çonin në sëmundje kronike, kurse kur këto miqësi janë të forta, njerëzit janë më të lumtur.
Një nga arsyet pse ndodh kështu, sipas prof. Chopik, është se marrëdhëniet me miqtë janë një zgjedhje; mund të ruajmë miqësitë që na bëjnë të ndihemi mirë dhe të braktisim ato që na stresojnë; në një kohë që familja nuk është diçka që ti e zgjedh dhe ndonëse shpesh ajo është shumë e mirë, ka shpesh raste kur shkakton energji negative.
“Ka pak studime që dëshmojnë se sa të rëndësishme janë miqësitë për të moshuarit. Befasia më e madhe është se, sipas këtyre studimeve, miqësia luan një rol më të rëndësishëm në lumturinë dhe jetëgjatësinë e njeriut se sa vet familja, apo partnerët”, – thotë profesori.
“Miqësitë na ndihmojnë të largojmë vetminë, por janë shpesh të vështira për t’u ruajtur përgjatë jetës”, shtoi ai. “Nëse një miqësi i ka rezistuar kohës, e di se ajo është një gjë e mirë dhe mund t’i drejtohesh atij personi sa herë ke nevojë për ndihmë apo ndonjë këshillë. Kjo tregon që ky është një njeri që e ke dashur në jetën tënde”.