Fasada e Stadiumit, ose babëzia e injorantëve!

“shembja është në shkëlje flagrante të një premtimi publik të Kryeministrit që Fasada do të ruhej. Në fillim u tha brenda hollit të xhamtë e më pas jashtë. Deklarata i qetësoi disi kundërshtarët e projektit”..

Nga Blendi Fevziu –

Fasada e Stadiumit Qemal Stafa, nuk është më. Detyrim ligjor apo moral, pak rëndësi ka. Një prej monumenteve të rëndësishme të kryeqytetit është shembur nën diellin e gushtit, atëherë kur vëmendja është më e vogël dhe reagimi publik më minimal. Eshte shëmbur thuajse tinëz, edhe pse fotot e fadromave që godasin mbi basorelievet kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale.
Për ata që nuk e dinë, Stadiumi i madh i Tiranës u ndërtua në vitin 1940, si pasojë e një plani për modernizimin e Kryeqytetit pas pushtimit nga Italia. I gjithë kompleksi rreth tij, përfshirë atë vetë, u projektua nga Gerardo Bosio, një arkitekt i ri, por vecanërisht i talentuar. Bosio ndërtoi një kompleks ku përfshihej Godina qëndrore ku sot është universiteti, stadiumi që nuk është më dhe godina ku ndodhet Akademia e Arteve te Bukura. Ai i bashkoi të treja godinat me dy sheshe, atë që sot quhet Nënë Tereza dhe tjetrin të quajtur Italia. Kompleksi ishte në raport të drejtë më sheshin Skënderbej dhe një tjetër, që pritej të ndërtohej në atë që sot njihet si stacioni i Trenit. Bosio bëri një punë të mrekullueshme dhe për fatin e tij të keq, ndërroi jetë në moshën 38 vjecare, pa arritur t’i shohë të mbaruara të gjitha. Ajo që mbeti nga trashëgimia e tij, ishte admirimi i publikut dhe specialistëve. Shumica e të huajve që kanë shkruajtur për Tiranën pas vitit 1941 nuk kanë lënë pa përmendur madheshtinë që i ka dhënë Tiranës ai shesh. Specialistët rusë që Hoxha i thirri në mes të viteve ’50 për t’i planifikiar një Tiranë ndryshe sugjeruan që sheshi të konservohej sepse mbetej një kryevepër. Fjalët e tyre që vlera arkitekturore e sheshit do vinte duke u shtuar, kujtohen edhe sot nga arkitektët që kanë qenë në ato debate. Askush nuk guxoi ta prekë deri në vitin 1991 dhe thuajse askush nuk guxoi të ndërhyjë fort për të deformuar atë shesh. Një lloj simboli i Tiranës i pa krahasueshëm me asnjë qytet tjetër në botë. S’di të them më i bukur apo jo, por di te them unik. Në Prill 2000 Qeveria e shpalli atë ansambël muzeal dhe ja kaloi për ruajtje Ministrit të Kulturës Edi Rama. Mbaj mend që Ministri ka dalë vetë në Opinion atë natë, duke deklaruar i ngazëllyer se ansambli muzeal i Tiranës kishte shpëtuar nga babëzia e injorantëve. Mbase kishte të drejtë. 16 vjet më pas, me gjasë injorantët u kthyen prapë. Fasada e stadiumit u shemb dhe ansambli muzeal ka mbetur si statujë me një këmbë.
Personalisht kam qenë në favor të ndërtimit të një stadiumi të ri, po aty. Dhe po ashtu jam shumë i bindur që mënyra më e mirë për ta ndërtuar ishte me sipërmarrje private. Madje kam qenë në favor që stadiumi të shndrohet edhe një lloj ansambli dyqanesh dhe aktivitetesh të tjera, që zona të jetë e frekuentueshme gjatë gjithë javës, jo vetëm në orët e ndeshjes. Deri këtu nuk duket se ka një problem. Nuk po i hyj debatit nëse stadiumi duhej të kishte të njëjtën formë ovale me atë të vjetirn dizenjuar nga Bosio sepse kjo është cështje profesionistësh. Por kam qenë i bindur dhe kam këmbëngulur që Fasada e Stadiumit duhej të ruhej ashtu sic ishte. Këtë e ka pranuar cdo arkitekt që ka ardhur të merret me projetkin e stadiumit te ri këto 6 vjet dhe ky ka qenë një detyrim moral dhe ligjor. Madje edhe një premtim.
E para shembja e fasadës është sheklje flagrante e ligjit sepse ajo ishte e mbrojtur prej tij. Nëse qeveria e ka hequr nga mbrojtja sërish ajo ka krye një krim sepse kjo nuk mund të bëhet me një vendim arbitrar. Shkelja e ligjit duhet të ndiqet nga prokuroria dhe ajo duhet të japë vendimin e saj.
E dyta, shembja është në shkëlje flagrante të një premtimi publik të Kryeministrit që Fasada do të ruhej. Në fillim u tha brenda hollit të xhamtë e më pas jashtë. Deklarata i qetësoi disi kundërshtarët e projektit, por sic duket paska qenë as më shumë dhe as më pak, e pavërtetë. Kryeministri premtoi sërish që faada do të rindërtohet, por pamjet dhe kjo foto që është më sipër dëshmon se basorelievët janë thyer; që heqja e gurëve po bëhet në mënyrën më barbare të mundshme dhe që shkallët dekorative, që janë në harmoni të plotë më shkallët e Universitetit dhe të Akademisë së Arteve nuk janë më. Fasada duhej të ruhej ashtu sic ishte, sepse rindërtimi i saj, nuk është më e njëjta gjë. Dhe jam shumë skeptik se mund të ndodhë realisht. Një pjesë e historisë së këtij qyteti u shndrua sot në rrënojë, nga babëzia e injorantëve sic i quante Ish Ministri i Kulturs në vitin 2000. Ndërsa premtimi për ta bërë fasadën sërish sic ishte, madje më të bukur, sic shkruante dje një komentator, të kujton atë frazën e famshme të gjeneralit serb që shembi urën e famshme të Mostarit me artileri dhe që Rama e citonte në vitin 2010:
“mos u mërzisni dhe mos shqetësohet bota, do ta bëjmë edhe më të bukur, do ta bëjmë edhe më të vjetër.”

SHKARKO APP