Fatos Klosi: Grushti i shtetit ’98, ja organizatorët

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, rrëfen të pathënat e protestës së dhunshme të 14 shtatorit të vitit 1998. Ai tregon se kjo ngjarje ishte shumë e shëmtuar dhe e turpshme jo vetëm nga ata që e organizuan, por edhe nga vetë qeveria e asaj kohe, e drejtuar nga kryeministri Nano. Kështu, për “Sot”, Klosi deklaron se Fatos Nano ishte në dijeni për puçin që po përgatiste opozita dhe ia mbathi nga frika para se të ndodhte grushti i shtetit, duke e lënë shtetin në mëshirë të fatit.  Ish-kreu i SHISH deklaroi se Nano kishte plan që të ikte në Itali, që në datën 13 shtator, por si përfundim u fsheh në Maqedoni. Sipas tij, Nano e la shtetin në dorë të atyre që shkatërruan institucionet.

“Fatos Nano u largua para grushtit të shtetit. Të gjithë ishim në dijeni se ata diçka do bënin, por nuk na i merrte mendja se do të arrinin deri aty sa të shkatërronin shtetin. Ikja e kryeministrit ishte vërtet një qëndrim shumë i rëndë për shtetin. Askush nuk e dinte në Shqipëri se ku ishte kryeministri!? Nuk e dinte as Presidenti dhe as ministrat e tij. Nuk kishte pse kryeministri të shkonte aq larg, saqë mos ta dinte askush! Situata ishte e frikshme, por kryeministri mund të shkonte në Dajt ose diku tjetër. Që në datën 13, kryeministri donte të ikte në Itali, por iku në Maqedoni”, deklaroi Fatos Klosi.

Më tej, ai rrëfen se vrasja e Azem Hajdarit shërbeu si indicie që opozita e asaj kohe të organizonte grushtin e shtetit kundër qeverisë dhe institucioneve të shtetit shqiptar.

“Vrasja e Azem Hajdarit u përdor si indicie për nisjen e grushtit të shtetit; u dërgua kufoma e të ndjerit Azem Hajdari në derën e Kryeministrisë. Kjo ishte një ngjarje e organizuar kohë më parë. Nuk e di cili ka qenë qëllimi i vërtetë i kësaj ngjarje. Ndoshta për të treguar ja se çfarë mund të bëjmë ne me shtetin. Ajo që ndodhi, më pas e tregoi se ishte një udhë pa krye. Sepse, çfarë do bënin të nesërmen? Kush do shpallej kryeministër? Ata deputetë që ishin në Kuvend të asaj pale që organizoi grushtin e shtetit, nuk mund ta ndërtonin shtetin ligjor. Edhe ata që ishin në pushtet, nuk ishin në lartësinë e detyrës së tyre”, u shpreh Klosi. Fatos Klosi e kujton këtë ngjarje me keqardhje, pasi shteti u shkërmoq. Ish-kreu i SHISH thotë se grushti i shtetit u la në mes nga vetë organizatorët, pasi PD me deputetët e saj në Parlament nuk mund ta krijonin dot shtetin ligjor. “Ishte vërtet një ngjarje shumë e rëndë. U shkatërrua shteti. Garda u përpoq ta mbrojë Kryeministrinë, por edhe Garda vetë u shkërmoq. Pati disa të plagosur. Organizatorët u futën nëpër zyrat e shtetit me dhunë. Askush nuk e kundërshtoi këtë organizim të dhunshëm. Policia u shpërnda. Organizatorët e lanë vetë në mes atë që kishin nisur. Me siguri dikush iu tha: Po nesër çfarë do bëni? Ja i morët zyrat, çfarë do bëni, do t’i ndan i zyrat? Është e pamundur që në një demokraci të pretendohet të merret pushteti me grusht shteti. Ata që e patën shtetin në dorë nuk u përpoqën fare që ta mbronin. Është një ngjarje që të vjen siklet për ta kujtuar, qoftë nga njëra palë që e organizoi grushtin e shtetit, qoftë dhe për ata që duhet ta mbronin atë shtet”, tha Klosi.

SHKARKO APP