Fatura e shkarkimeve në administratë
Buxhetit të shtetit i është dashur të paguajë një faturë të rëndë të mbartur ndër vite për shkarkimet që janë bërë në administratë, kryesisht gjatë rrotacioneve politike.
Vetëm në Ministrinë e Bujqësisë gjenden mbi 40 persona që kanë fituar në gjykata të drejtën e dëmshpërblimit me një vlerë në total mbi 37 milionë lekë.
Sipas burimeve në Ministrinë e Bujqësisë detyrimet që punonjësit e shkarkuar kanë fituar nga gjykatat rezultojnë në 45 milionë lekëve, prej të cilave 8 milionë lekë janë shlyer, por për shumicën e tyre ministria ka shpallur pafatësinë për të paguar.
Ministria e Financave ka llogaritur si detyrime të prapambetura të gjitha borxhet që shteti kishte krijuar ndaj të larguarve nga administrata deri në fund të vitit 2013.
Në të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave mësohet se, në kuadër të strategjisë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura deri më datë 2 qershor 2015, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 14.33 miliardë lekë detyrime.
(i) Investimet publike, janë alokuar 5.8 miliardë lekë,
(ii) Shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.2 miliard lekë,
(iii) Rimbursim TVSH-je janë alokuar rreth 4.5 miliardë lekë,
(iv) “Të tjera” janë alokuar 3.8 miliardë lekë ku përfshihen: detyrimet për“Vendimet gjyqësore”, janë alokuar rreth 1.6 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe“Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë.
Siç shihet Ministria e Financave raporton se, ka shlyer nga vendimet gjyqësore që janë kryesisht zëri i fondeve që i dedikohen të larguarave nga puna një shumë prej 1.6 miliardë lekësh, që korrespondon me rreth 11 milionë euro. Ministrja Për inovacionin dhe Teknologjinë Milena Harito ka raportuar në media se, totali i detyrimeve për të larguarit nga administrata është 20 milionë dollarë ./Monitor