Fejton – Intervistë me zotin “Tritol”

Nga Hyskë Borobojka

 

Në grumbullin e dosjeve të shumta, që gjenden të radhitura në zyrën e ruajtjes së tyre, është e veçuar një dosje ngjyrë gri e lidhur mirë dhe e kopsitur fort, që s’ka ndërmend të hapet. Mbi të shkruhet me germa kapitale: “Krime dhe ndëshkime të pa zbardhura gjatë vitit që kaloi”. Brenda saj gjenden një tufë me deklarata, njoftime, përshkrime, proces-verbale e intervista, që mbajnë në ballë numra e data dhe firma. Ato janë të shumta e të shumëllojshme, por po paraqitim vetëm disa prej tyre.

Deklaratë e qytetarit F. K.

Deklaroj nën përgjegjësinë time personale, pasi kam qenë dëshmitar kur u hodh në erë e u bë fërtele makina e kryetarit të komunës së Vorës. Forcat e rendit arritën në vendngjarje, por autori që kreu shpërthimin me telekomandë, kishte çarë ferrën në “drejtim të paditur”. Edhe pse ka kaluar një vit e ca muaj nga kjo ngjarje policia akoma s’ka rënë në erën dhe gjurmën e tij. Hetimet, vëzhgimet e kërkimet vazhdojnë, por pa rezultat.

Deklaratë lëshuar nga qytetari L. D.

Isha duke shëtitur në zonën e plazhit të Bllokmenëve të rinj në Durrës, kur ç’të dëgjoj?! Një shpërthim i fortë si bombë atomike dhe një makinë e re fluturoi në erë. Fati im i bardhë që s’pësova ndonjë cen. Ndërsa i zoti i makinës s’merrej vesh sa plagë kishte marrë. Sa arritën forcat e rendit e morën dhe e çuan në Spitalin e Traumës në Tiranë. Një ditë më vonë pyeta për shëndetin e tij.

          -Ndërroi jetë! – më thanë

          -Autorët që vendosën tritolin në makinën e tij i zunë? – pyeta

          – Si shumë shokë të tij ikën në “drejtim të paditur!- më sqaruan.

Proces-verbal i mbajtur në qershor kur piqen qershitë

Tre “trima” me maska në fytyrë e armë në krah e në brez, në tunelin e Shënavlashit afër Durrësit, bënë qitje me armë zjarri ndaj një biznesmeni nga Cërriku duke shtrirë përdhe pafrymë. Mbërritën, si kofini pas të vjeli, forcat e rendit, por në vend të autorëve të krimit gjetën armët e tyre në tunel, pasi “trimat” ishin larguar e nuk u është gjetur adresa as sot e kësaj dite.

Rrëfimi i një qytetari të llahtarisur

Po kthehesha nga vendi fqinj, me autobusin e linjës ndërkombëtare Athinë-Tiranë. Isha rehatur në ndenjsen nr. 13 (numër ters, thonë) Kishte kaluar mesi i natës e më kishte zënë gjumi. Sa kaluam Tepelenën e hymë në nahijen e Mallakastrës, u zgjova i llahtarisur. Autobusi qëllohet me armë zjarri. Lere mos e nga ç’pësuam nga tmerri, që te shoferi në timon e deri te urdhri në ndenjësen e fundit. U tmerruam kur pamë si po i rridhte gjaku çurg një djali të ri nga Elbasani, që s’mundi dot të jetonte. Se cilët ishin ata “trima” që qëlluan me armë autobusin pas mesit të natës, edhe pse kanë kaluar ditë, javë, muaj, shkoi edhe viti e akoma s’janë gjetur.

Vrasje në qendër të kryeqytetit

Akoma nuk ishin hapur dyert e bankës në Tiranë, kur dy njerëz të maskuar, hipur mbi një motor, qëllojnë më armë Artan Santon në sy të policit të bankës. Por, i gjori ai, s’kishte ç’të bënte, pasi armën e tij e kishte mbyllur në kasafortë. Të dy”atentatorët” të hipur mbi motor ikën nga ish-Blloku në drejtim të liqenit të Tiranë, por polici i trafikut rrugor e kishte serbatorin e motorit të tij pa benzinë që t’i ndiqte, t’i kapte e t’i prangoste. Megjithatë forcat e rendit nuk ndenjën duarkryq, ngritën postablloqe e prangosën dy qytetarë, por i liruan për mungesë provash, duke e lëmë edhe këtë ngjarje të shëmtuar pa zbuluar autorët.

Interviste me zotin “Tritol”

 Zotëri i “nderuar a mund të na bëni, një rezyme të aktivitetit tuaj gjatë vitit që kaloi?

Aktiviteti im ka qenë, është e do të jetë i shumtë dhe i shumëllojshëm, aq sa veprimtaritë e mia nuk mbahen mend. Por me që po ngulni këmbë, po u tregoj disa nga shpërthimet e mia, që kanë përfunduar me sukses e që nuk u zbuluan gjatë vitit që kaloi. Ma merr mendja se nuk do zbulohen as gjatë këtij viti. Megjithatë po i bëj thirrje kujtesës të më ndihmojë të kujtoj disa prej tyre.

Në ditët e para të vitit të kaluar ia kam hedhur në erë makinën kreut të komunës së qendrës në Vlorë. Kam shpërthyer me sukses në banesën e shefit të policisë të burgjeve në Fushë-Krujë. Një ditë më vonë, pasi kreva këtë aksion më rezultate të mira u vendosa në makinën e një biznesmeni ndërtimi në Durrës. Më kujtohet fare mirë që hyra fshehur në automjetin e një arkitekti, që po udhëtonte nga Kavaja në Tiranë. Kur makina arriti mbi kalimin e Sukthit i dhashë urdhër vetes: “Erdhi çasti fatlum të tregosh fuqinë tënde!” Shpërtheva dhe e mbulova makinën me flakë e tym. Më kujtohet, si tani, se kam zënë vend edhe në furgonin e policisë në Lezhë si dhe në një mobileri në Fushë-Krujë. Një aksion të suksesshëm kam kryer edhe kur munda të futesha pa u diktuar në Institutin e Higjienës, duke plagosur tre vetë. Njërit i mora të dyja këmbët, ndërsa tjetrit vetëm njërën. Dua të përmend edhe aksionin që kreva në Vorë, duke ia hedhur makinën në erënjë qytetari që sa po ishte kthyer nga Gjermania. Kontribut me vlerë kam kryer edhe në Librazhd, duke ia kthyer shtëpinë në gërmadhe një qytetari. E ku nuk kam qenë i pranishëm, madje edhe në farmacinë e babait të ministrit të brendshëm. Këto ishin vetëm disa nga aksionet e mia, pasi ato janë aq të shumta sa s’mbahen mend. Hë, si thua?! Do më për Belulin (më falni, për Tritolin)?!

Por pronarët tuaj që të kanë hapur rrugën për veprim, nuk janë kapur e prangosur?

-Ata janë stërvitur me kurs të posaçëm, hedhin gurin dhe fshehin dorën. Pasi më venë mua në punë, ia mbathin në drejtim të paditur e të panjohur.

                                                                

SHKARKO APP