Fëmija i lumtur Edi Rama

Nga Ilir Levonja/Një nga fëmijët më të lumtur të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, është momentalisht Kryeministri Edi Rama. Nga dje e sot gëzon duke duartrokitur demaskimin e ca pallateve, ku sipas tij i kanë bërë në kundërshtim me ligjin, ca njerëz nga qeveria e mëparshme. Reforma në drejtësi të cilën e filloi me shpatë të madhe nga viti i kaluar. Nisur me ato përfoljet mes tij dhe Bashës. Ku njëri do të dorëzonte Berishën dhe tjetri Metën. Në fakt dështoi me një rend të rregullt javor a mujor. Duke u paraqitur me duart në xhepa në zyrën e kryetarit të Kuvendit, sa herë që prishej humori i Ilirit. Nga ana tjetër fluturoi për pranimin e Kosovës në UEFA. Ashtu sikur edhe për heqjen e vizave për qytetarët e saj. Madje e mbyll me stilin e gangos nga Tirona…, ”Më në fund BE-ja po çlirohet nga një turp!” Këto gjithmonë sipas statuteve të tia në Twitter.
1) Pallateve vërju tritolin. Ia ke marrë dorën. Ti je mjeshtri i hedhjes së lekut në erë. Je mjeshtri i varrosjes së traditës. I furçisjes së fasadave me ngjyra deri nga tropiku. Pavarsisht se jetojmë në Mesdhe. Se, kemi apo jo ato avazet tona. Por këto nuk kanë asnjë rëndësi.
Vërju tritolin… Nuk ke pse na ankohesh neve. I ke të gjitha. Një milion e ca vota ndaj tu dhanë. Ke edhe gurin edhe arrën.
2) Reforma nuk ia vlen të diskutohet më. Eshtë si shumë etapa të tjera të vendit. Të cilat janë faqja jonë e zezë. Një reformë që po bëhet me dhunë nga jashtë. Për shkak të absurdit shqiptar ku të gjithë kanë të drejtë. Dhe më shumë nga të gjithë, ky kryemëndjemadhi që mbeti duke u folur njerëzve vetëm për gjynahet dhe mëkatet e atyre që ikën. Edhe pse projektet e tia vazhdojnë të kontestohen fort. Dhe ai bën humor duke kujtuar forcën e Ahmet Zogut në ndërtimin e Tiranës. Megjithëse deri sot nuk është dëgjuar ndonjëherë të flitet për protestë urbane të asaj kohe. Dhe krejt si një fëmijë i lumtur harron se në edukatën qeverisëse të vendeve në Perëndim. Kur ka ngërç, kur ka zvarritje dhe dogma propogande, topi është në fushën e qeveriut. Pra tek ty. Jo tek opozita…
3)Vërtet lajm i madh ky i pranimit të Kosovës. Gëzuam të gjithë dhe me të drejtë pamë edhe lot. Mbi të gjitha shqiptarët e Kosovës. Nuk ma nxë goja të them kosovarët. Jam shqiptarë e u vranë për lirinë e tyre. U vranë për flamurin kuq e zi.
Sa për ty e sojin tënd…, që pas qeverisë së Vlorës. Ose dyshes Ismail Bej Vlora dhe Isa Boletini. Soji e sorollopi shqiptar i qeveriut. E pati mëndjen tek karrika se sa tek Kosova. Më shumë bën për Kosovën kuislingët, me italianë e gjermanë se sa soji ynë që rrahim gjoksin. Ne edhe ato që arratiseshin, e vinin në vendin amë. Në tokën e premtuar…, i ngordhnim në dru. I kthenim mbrapsht si agjentë të UDB-ës etj. Ose, i çmendnim nga trutë e kokës. Pra është e gjitha një histori e dështuar me kokluzion që shqiptarët jetojnë sot në pesë shtete. Por le të shikojmë edhe anën e mbrapsht të këtij lajmi. Duam apo nuk duam ne, tani më, kemi për kokë edhe një mëkat ndaj Kombit. Çfarë bënë ata djem kuqezi, që bredhin me top stadiumeve të botës. E dhjeu era e fatit shqiptar. Ajo erë e mbrujtur me patriotizmin e rremë. Pasi për gjithçka e shumë gjëra mund të na nevojiteshin ne shqiptarëve. Veç jo dy kombëtare… Boll ishte njëra, foleja që na mblidhte. Të paktën në atë ballkon karshi ajrit, ishim bashkë. Rrinim bashkë. Dhe këndonim bashkë. Për të tjerat, e Zotit u bëftë.
Le të shpresojmë se ky nuk është një mëkat i madh. Edhe pse tingëllon si një fitore me shije të çuditshme.
4)Kjo puna e vizave me të drejtë u vjen për shtat qejfit tuaj. Edhe Isës atje në Prishtinë. Këto njëzetë e katër orë, rrjetet po buçasin edhe për Lloton amerikane. I pe barrelat, ato shkallët lëvizëse në shërbejnë aeroporteve për të hipur e zbritur njerëzit. Janë plot. I kanë mbushur Webet. Janë pamje me shqiptarët që presin me sytë në hava se mos ulet ndonjë fluturak tek shkallarja e tyre. Por unë nuk flas dot se, më grijnë e-mail-et duke më thënë. Ia hodhe për vete ti, ike ti. Po tani çfarë ke me ne?
Thua se fjala ime e ndërpreu këtë eksodin nga vendi . Thua se fjala ime është marrëzia. Edhe pse veç saj, asgjë nuk kam në dorë. Çelsat e gjithçka tjetër i ke ti. Dhe misrin me kokrra ti e ndan. Unë u fal veç zemrën. Atë kam. Dhe më dhimbesn kur i shoh. Eshtë e gjitha një marri shqiptare, që nuk do më vendin e saj. Kjo fal sojit e sorollopit tënd. Dhe ti i thua Europës turp. Kur turpi është i sojit tënd. I sojit tënd prej shekujsh që na kanë degdisur, nga Oqeania e largët, deri në Alaskë sipër. Nga Zelanda e Re, deri poshtë në Patagonian e Jugut. Një revolucion i ikjes shoqërore, si pasojë e paaftësisë pra të sojit tënd. Dhe ti thua turp i BE-es.
Çfarë mirënjohje shqiptare? Çfarë mirënjohje karshi eksodit të 1468-ës. Karshi eksodeve para dhe pas luftrave. Edukimit dhe arsimimit të intiligjencës. Eksodeve të post diktaturës. Atyre anijeve përplot që edhe sot na bëjnë me turp.
Turp Europës edhe Botës?!
Mjaft! Na kanë bërë njerëz, qytetarë.
Na kanë dhënë të drejtën e votës. Na besojnë.
Na kanë dhënë gjakun e tyre. Na kanë mbushur me dashuri.
Na kanë futur në shtëpi etj. Dhe ti u thua turp.
Po turpi jot more zotëri, cili është?

SHKARKO APP