Festivali i 11-t i Këngës në RTVSH, kur Ramiz Alia kundërshtonte Enver Hoxhën

Nga Skifter Këlliçi

(vijon nga numrat e kaluar)

Për të vërtetuar mendimin e mësipërm, mjafton të japim një shembull të nxjerrë po nga libri “Jeta ime”, ku Ramiz Alia përshkruan se ç’ndodhi pas natës së fundit të Festivalit të 11- të Këngës në RTVSH, (22-25 dhjetor 1972), ku ai shkruan: “Në pushimin e pjesës së parë dhe të dytë, bisedova me T. Lubonjën, atëherë drejtor i RTVSH-së . I thashë që Festivali i kishte kaluar kufijtë dhe binte në kundërshtim me vijën e Partisë, qoftë për sa i përket mënyrës së ekzekutimit të këngëve, qoftë përsa i përket veshjes së këngëtarëve”. (faqe 262). (Duke bërë një parantezë, ashtu siç kam shkruar në dosjerin “Enver Hoxha, Festivali i 11-të…Ramiz Alia dhe Todi Lubonja”, botuar vite më parë, siç pohon dhe vetë Todi, e vetmja vërejtje e Ramiz Alisë ishte për fustanin e gjatë të një këngëtareje, që i rrinte asaj si thes si dhe fjalët: “…mos këngët e këtij festivali janë si bonbone me sheqer që kanë brenda helm?”… dhe asgjë më shumë ). “Të nesërmen, -vazhdon Ramiz Alia në librin e tij, -bisedova edhe me H. Kapon dhe me M. Shehun dhe asnjeri nuk kishte ndonjë vërejtje të veçantë. Unë u thashë mendimin tim dhe vërejtjet që i kisha bërë Todit. Dhe kaq. ”(po aty).

Normalisht, kur dy udhëheqësit më të rëndësishëm dhe shokët më të ngushtë të Enver Hoxhës që në vitet e para të Luftës, se sa Ramiz Alia, veçanërisht Mehmet Shehu që, siç shkruan, kur ai bisedonte me Enverin “qeshnim bashkë, kur kujtonim se sa i rreptë tregohej Mehmeti ndaj qafëleshëve që kalonin poshtë zyrave të Kryeministrisë”, (faqe 263), pikërisht pra këta të dy nuk bënë vërejtje për Festivalin e 11 -të, vërejtje që logjikisht nuk duhej të kishte bërë as Enver Hoxha, që ato ditë ishte me pushime në Vlorë dhe që andej e kishte ndjekur këtë veprimtari të rëndësishme artistike nga ekrani i TVSH-së.

Kam shkruar gjerë e gjatë në dosjerin që përmenda më sipër rreth të papriturave që sajoi Enver Hoxha pas këtij festivali, të cilave Ramiz Alia u ka kushtuar vëmendje në librin e tij “Jeta ime”, por edhe ku, mjerisht, gabon në trajtimin e disa ngjarjeve e datave dhe kjo sepse, siç shkruan në parathënien e këtij libri, është bazuar kryesisht në kujtimet e tij.

Si pasojë, nuk është e saktë, që Enver Hoxha ka kritikuar Festivalin e 11-të në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të zhvilluar në 9 janar. Në këtë mbledhje, duke bërë diskutimin me titull “Zhvillimi i letërsisë dhe arteve të bëhet në luftë kundër çdo ndikimi të huaj’, në një kohë që kur po shqyrtohej raporti i paraqitur nga Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit të Tepelenës, ai jo pa qëllim ndalet në traditat e këtij rrethi edhe në fushën e folklorit, për të trajtuar larg e larg intrigën djallëzore që, siç do të shohim, kishte thurur në mendjen e tij satanike, ai shprehet kështu: “Një mësuese shkolle më shkruan se kur u thotë nxënësve si duhet ta kenë paraqitjen se si të sillen, këta i përgjigjen: “Ju, shoqja mësuese, na thoni të jemi të sjellshëm, me paraqitje të rregullt, por ne shikojmë se në Televizion dalin njerëz me veshje, me flokë e me pamje që ju na i keni kritikuar. Mirëpo ato, që shfaqen në televizion janë zyrtare. Jo shokë, këto gjëra nuk janë zyrtare, por kontrabandë”. (Enver Hoxha, Vepra 50, 1986 faqe 4-5).

Siç shihet, ai nuk shqipton as edhe një fjalë për Festivalin e 11-të. Kjo vërtetohet edhe nga një fakt tjetër. Më 15 janar 1972, në mbledhjen e përmuajshme që Todi Lubonja organizonte më ne, redaktorët e RTVSH-së, siç kam shkruar edhe më parë, na lexoi pikërisht këtë fragment nga diskutimi i Enver Hoxhës dhe na tërhoqi vëmendjen që në të ardhmen të tregonim kujdes ndaj kritikave të tij në këtë drejtim.  Vërejtjet e para për Festivalin e 11-të, Enver Hoxha ka filluar t’i bëjë pas letrave të të rinjve nga rrethi i Lushnjës, sigurisht të nxitura prej tij, që të tregonte se ja, është rinia, pra populli që na tërheq vëmendjen ndaj këtyre dukurive negative që vëreheshin në RTVSH, letra botuara në gazetën “Zëri i Rinisë”, më 23 janar 1973 e në vazhdim dhe pastaj në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve të Aparatit të KQ të Partisë për dhënie llogarie dhe zgjedhje, që është zhvilluar në 15 mars 1973, ku iu drejtua Fadil Paçramit, duke nënkuptuar edhe Todi Lubonjën, me fjalët: “Këta shokë duan që ne të pohojmë se liberalizmi nuk qenka armiku kryesor . Kjo është teza e armikut. Ne bëjmë pyetjen: “Ju jeni me tezat e partisë, apo me tezat e armikut?”, (Enver Hoxha, Vepra 50 faqe 297, 1986). Pastaj në Plenumin e 4-t të KQ, të mbajtur në qershor të po atij viti do t’i cilësonte armiq, do të kurdiste procese qesharake gjyqësore dhe do t’ kallte në burg, kurse familjet e tyre do t’i internonte. (?!).

Sidoqoftë, nuk kanë rëndësi datat. Rëndësi kanë përshtypjet që krijon Ramiz Alia nga këto veprime të Enver Hoxhës, për të cilat shkruan: “Para se Enveri të fliste në Presidiumin e Kuvendit Popullor, nuk kishim arritur të flisnim bashkë për Festivalin. Kështu kritika e tij për Festivalin ishte e papritur për mua. Bile nuk më erdhi mirë që Enveri bëri kritikë publike, pa biseduar fare me mua që përgjigjesha për këtë sektor veprimtarie”, (faqe 293-264).

Pra, Ramiz Alia, me shumë të drejtë e ka ndier veten të fyer. Por, në të njëjtën kohë, ai dëshmon se Enver Hoxha, në kundërshtim me ato që shkruan më sipër, kur pohon se ai i pyeste shokët, se këshillohej më ta, sidomos me Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon, por edhe me të tjerë, sipas sektorëve që ata drejtonin, si nuk paska pyetur të paktën Ramiz Alinë që mbulonte pikërisht ‘këtë sektor veprimtarie’, pra, si nuk paska biseduar me të gjerë e gjatë për Festivalin e 11-të, i cili do t’i shërbente, siç do të shohim, si pikënisje për të sulmuar artin kulturën, ku, sipas tij, ishin shfaqur dhe shfaqeshin shenja të theksuara të ndikimeve të huaja dhe liberalizmit dhe më pas edhe për sektorë të tillë, shumë të rëndësishëm, si ekonomia, mbrojta, ku u zbuluan edhe sabotime?

“Kjo është ana formale e heshtjes, -vazhdon Ramiz Alia në librin e tij. -Themelore është se unë nuk e kisha të qartë se përse E. Hoxha mbajti atë pozicion aq kritik ndaj Festivalit XI. Në të gjitha kontaktet dhe bisedat që kam pasur me të për probleme të arteve dhe të kulturës, Enveri asnjëherë nuk tregohej i ngurtë”. (faqe 263).

Pastaj në libër Ramiz Alia përmend edhe takimin që Enver Hoxha ka pasur disa muaj para Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH më 1972 me Agim Meron, sekretarin e Parë të KQ të Rinisë, në të cilin ai kishte këshilluar që ndaj brezit duhej të tregohej vëmendje e veçantë, që të rinjtë ta ndjenin veten më të lirë, që të jepeshin më shumë filma, qoftë në shfaqje në RTVSH, apo këngë e valle…“Prandaj, -thekson ai, -për mua ka qenë e vështirë në atë kohë të kuptoja atë qëndrim aq të rreptë të Enverit”. (faqe 263).

Jo vetëm kaq, por me siguri Ramiz Alia, ndonëse nuk e përshkruan në librin e tij, nuk ndalet në një fakt tjetër domethënës që po nënvizoj më poshtë: Në janar të vitit 1972 Enver Hoxha miratoi propozimin e Byrosë Politike të KQ të PPSH-së që në vend të Thanas Nanos, drejtor i RTVSH-së, që kishte treguar shfaqje të theksuara konservatorizmi dhe dogmatizmi, të emërohej Todi Lubonja.

Kur në një mbledhje të Byrosë Politike, (prill 1973), Enver Hoxhës iu paraqit një listë me emra kandidatësh për drejtorin e ri të RTVSH-së që do të zëvendësonte Todi Lubonjën, tashmë të shpallur prej tij armik i popullit për gabime të rënda në vijën e Partisë, (sepse kishte organizuar një festival kënge?!. . . ), ndodhi ajo që përshkruan Marash Hajati në librin e tij “Dera e prapme e shtypit”, (faqe 85), kur, pasi i vuri një vijë diagonale atyre emrave në listë, diktatori shkroi:

“Në RTVSH të kthehet Thanas Nano. Ngritje profesionale nuk do të kemi, por proçkat e Todit nuk do t’i bëjë’. (Faqe 85 e librit të mësipërm).

E ku qëndron këtu “kolegjialiteti i Enver Hoxhës”, për të cilin, siç e pamë më sipër, shkruan më sipër Ramiz Alia? Përse diktatori nuk kërkoi në këtë rast mendimin jo më të byroistëve, por të paktën të Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut, me të cilët “këshillohej” aq shumë se cilin kuadër mund të emëronin drejtor të këtij institucioni, por me një të rënë të lapsit vendosi ai vetë rikthimin e Thanas Nanos, të kritikuar nga Byroja Politike si konservator dogmatik? A nuk ishte ky një vendimi çmendur që do t’i ketë lënë të stepur bashkëpunëtorët e tij servilë dhe frikacakë para këtij Neroni të ditëve tona?

Po këtë mendim pohon edhe vetë Ramiz Alia në librin e tij, kur shkruan: “Nga ana tjetër ka shumë mundësi që qëndrimi sektar, ose i ashpër i Enverit të diktohej edhe nga instinkti i “vetëmbrojtjes” . E kam thënë edhe më parë . E. Hoxha ka qenë në shenjë nga titistët dhe K. Xoxe, me shokë, të cilët e akuzonin herë për oportunizëm, herë për sektarizëm, por gjithnjë me synim eliminimin e tij . Rrethi i “armiqve” që kërkonin kokën e tij erdhi duke u shtuar, sidomos pas prishjes edhe pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. Mund të ketë ndikuar tek ai edhe problemi kinez, sektarizmi i revolucionit Kulturor dhe politika e afrimit të Kinës me amerikanët, që filloi me vizitën e Niksonit në Pekin. Ai ishte tepër i ndjeshëm ndaj rreziqeve që mund të kërcënonin vendin dhe partinë tonë. Liberalizmi dhe revizionizmi, ashtu si dhe imperializmi shpalleshin rreziqe të mundshëm”. (faqe 263).

Me këto argumente, me të cilat Ramiz Alia përpiqet të mbrojë Enver Hoxhën për veprimet e tij kriminale që ndërmori në radhë të parë ndaj shokëve të tij besnikë e pastaj, edhe më poshtë, ndaj njerëzve të thjeshtë, siç do të shohim edhe më poshtë duke shfletuar librin e tij, ai pohon edhe një herë tjetër se Enver Hoxha vuante nga një sëmundje e rëndë mendore, që quhet paranojë.

Paranoja e Enver Hoxhës, sipas Ramiz Alisë, që në Konferencën e Tiranës, (prill 1956)

Në qoftë se fjalën “paranojë” Ramiz Alia nuk e përmend deri tani në librin e tij, që ta gjejmë duhet të kthehemi shumë prapa, në prill të viti vitin 1956, u thirr me urgjencë nga e shoqja, Nexhmia, të vinte nga Vlora në Tiranë, ku po përgatiste raportin që do të mbante në Kongresin e 3-të të PPSH-së, që do të zhvillohej pas një muaji, për të marrë pjesë në këtë konferencë, në të cilën delegatët, të frymëzuar nga punimet e Kongresit të 20-të të PK të B. Sovjetik, kritikonin udhëheqësit partiakë që ishin shkëputur nga masat dhe ishin zhytur në bollëk nga privilegjet që i kishin krijuar vetes, kur populli nuk gjente në treg edhe ushqimet më të domosdoshme dhe kërkonin, si dhe demokratizimin e mëtejshëm të partisë.

Atëherë nga presidiumi i kësaj konference Enver Hoxha u ishte sulur tërë delegatëve që me guxim e sinqeritet kishin shprehur mendimet e tyre kritike, i kishte mbytur ato dhe, për më tepër, pas përfundimit të punimeve të saj , duke i cilësuar armiq, kishte ndërmarrë një fushatë burgimesh dhe internimesh kundër një pjesë të mirë të tyre.

“Duhet thënë, -shkruan Ramiz Alia në libër, -se udhëheqja e Partisë, (nënkuptohet Enver Hoxha, S. K. ), nuk bëri diferencimin e nevojshme. Goditja që u dha ndaj delegatëve fajtorë, u shtri edhe në mjaft njerëz, të cilët realisht nuk ishin kundër Partisë dhe vijës së saj. Nuk ishte hera e parë dhe e fundit që bashkë me ‘”të thatin digjej edhe i njomi”. Jam i bindur së për këtë veprim të pamatur kanë ndikuar negativisht udhëheqësit kryesorë të Sigurimit të Shtetit , me zellin e tyre të tepruar kundër “armiqve” dhe prirjen për t’i bërë “qejfin” Enverit , të cilët gjoja e mbronin nga “komplotet” dhe “atentatet” e armiqve të ndryshëm. Sigurisht kjo ndikonte kryesisht te Enveri, i cili me të drejtë , (në më të shumtën e rasteve), ose pa të drejtë , e kishte të theksuar dyshimin ndaj çdo gjëje që vinte nga titistët, ashtu siç e kishte më pas edhe më të theksuar për sovjetikët . Një farë paranoje, sipas meje e justifikuar. ’ (faqe 199).

Të mos harrojmë se më 1956 kur mbahej Konferenca e Tiranës, Ramia Alia nuk ishte veçse ministër i Arsimit dhe anëtar i KQ të PPPSH-së. Pohimi i mësipërm i tij , si dhe opinioni që ishte krijuar me kohë në popull, fatet e të cilit e tij ishin në dorën e një njeriu si Enver Hoxha që vuante nga paranoja , nuk është i justifikuar, siç përpiqet ta mbrojë ai , sepse veprimet e këtij paranojaku, të paktën që nga viti 1948, kur u prish me Jugosllavinë, nuk u shtrinë për shembull në familjen e tij, ose një rreth të ngushtë shoqëror, ku prapë së prapë do të ishin shumë të dëmshme, por në një vend, me sipërfaqe pak më shumë 28 mijë km katrorë, që quhet Shqipëri dhe popullsi mbi 1 milion banorë të cilën sfiliti, e varfëroi, e shndërroi në burg dhe e izoloi nga bota.

Në rast se udhëheqja e partisë, pra Enver Hoxha pas kësaj konference, nuk paskësh bërë diferencimin e duhur, pra paskësh dënuar njerëz pa faj, ”për zellin e tepruar të udhëheqësve të Sigurimit të Shtetit”, atëherë, si është e mundur që pas arrestimit dhe dënimit me pushkatim të drejtuesve kryesorë të Ministrisë së Brendshme, nga varej ky Sigurim, Enver Hoxha nuk i liroi ata që kishin qenë viktimë të tyre.

Përkundrazi, jo vetëm që nuk e bëri këtë, por si paranojak që ishte, pas vetëvrasjes, a vrasjes së Mehmet Shehut , më 1981, e akuzoi atë dhe më pas edhe Kadri Hazbiun dhe Beqir Ballukun se në bashkëpunim me revizionistët jugosllavë kishin dashur ta shfrytëzonin Konferencën e Tiranës për të përmbysur pushtetin popullor në Shqipëri dhe për të eliminuar edhe atë vetë. ?!). Çfarë fantazirash, sepse asnjë nga konkluzionet e tij nuk u vërtetuan dhe nuk janë vërtetuar kurrë!. .

Së fundi, kur vetë Ramiz Alia paskësh krijuar bindjen se paskëshin qenë drejtuesit e Sigurimit që paskan marrë më qafë delegatë të kësaj konference, “për t’i bërë qejfin Enverit”, përse pas vdekjes së tij, ai nuk bëri asnjë përpjekje që ata të liroheshin më së fundi nga internimi si të pafajshëm, të tillë si Peco Kagjini që i ka përshkruar ngjarjet e Konferencës së Tiranës dhe veprimet gjakësore të Enver Hoxhës në një libër me të njëjtin titull dhe që vuajti familjarisht internimin deri në vitin 1990 në një fshat të humbur të Vlorës?

SHKARKO APP