Festivali serb përkujton makinën simbol të ish-Jugosllavisë

Rreth 60 makina ‘Fica’ – makina të vogla të modeluara nga italiani Fiat 600  që ishin simbol i ish-Jugosllavisë – udhëtuan përreth Serbisë për festivalin e nëntë të këtij lloji, që u mbajt në Jagodina.

Festivali i nëntë Fica pa më shumë se 60 makina legjendare Zastava 750, ose ‘Fica’, të shfaqen në Jagodinë të dielën, pas një udhëtimi nga i gjithë vendi për të mbërritur.

Makina nga Beogradi, Kragujevaç, Sombor, Cacak dhe vetë Jagodina parakaluan nëpër qytet në eventin e përvitshëm të organizuar nga “Klubi i Adhuruesve të Fica”, një lidhje që synon të ruajë kujtimin e modelit të makinës, që u bë simbol i periudhës jugosllave.

Kur fabrika Zastava u ndërtua në qytetin serb Kragujevaç pas Luftës së Dytë Botërore, Fica ishte i pari model që prodhoi dhe thuajse një milionë makina dolën nga linja e fabrikës nga viti 1955 deri në 1985.

Zastava u bë simboli më i madh i ish-Jugosllavisë, sepse ky model i makinës zotërohej nga thuajse të gjithë, por makinat u bënë të famshme edhe përtej kufijve.

Megjithatë, ditët e lavdishme të Zastavës morën fund në fillim të viteve 1990 për shkak të sanksioneve dhe luftës, duke e kthyer Kragujevaçin në “luginën e urisë”, siç u bë i njohur qyteti.

Kompania Automobile Zastava në Kragujevaç shpalli falimentin në korrik 2016 për shkak të borxheve të shumta dhe kur portat e fabrikës u mbyllën zyrtarisht, siç urdhëroi një gjykatë serbe, kjo shënoi një largim përfundimtar nga ajo që disa e shihnin si “një të shkuar më të mirë”.

Megjithatë, shumë banorë të ish-Jugosllavisë ruajnë një lidhje nostalgjike me Zastavas dhe kujtimi i Fica në veçanti vazhdon të mbetet gjallë përmes festivaleve dhe eventeve të shumta, si ky në Jagodina./Ivana Nikoliç/BIRN/

 

SHKARKO APP