Fiksimi i shqiptarëve pas “Mercedes” prek edhe ambasadorët, ja çfarë makinash blenë përfaqësitë diplomatike
Shqiptarët jo në pak raste janë bërë pjesë e artikujve të mediave të huaja për një mbizotërim të makinave Mercedez mes parkut të përgjithshëm të mjeteve. Lajmi në këtë rast i referohej prezencës në masë të një makinë që konsiderohet relativisht e shtrenjte në një kontrast të theksuar me standardin e jetesës së shumicës së popullsisë. Fiksimit të përgjithshëm për Mercedezin duket se nuk i kanë shpëtuar as ambasadat shqiptare të vendosura në vende të ndryshme të Europës.
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit për procedurat e blerjes jep një panoramë edhe më të qartë për llojin e mjeteve që këto ambasada kanë preferuar të blejnë dhe është pikërisht Mercedezi.
Në raport thuhet se:
Ambasada Stokholm ka blerë “Mercedes Benz E 200 BlueTEC SEDAN”, viti 2015, me nr. shasie WDD2120061B227993 me vlerën e inventarit 25,523 Euro. (sipas inventarit të dërguar me shkresën nr. 120, dt. 18.07.2017) Ky automjet është blerë nga vetë ambasada e Stokholmit dhe jo sipas ofertës fituese me koncensionarin “Mercedes Benz” Motoria srl Bari prej 32,400 Euro.
Përfaqësia Bari ka blerë dy automjete:
– “Mercedes Benz, W205 Classe C – Limousine C 200 BlueTEC Automatic C”, viti 2015, me nr. shasie WDD2050371R075245 me vlerën e inventarit 32,400 Euro, me targa Ç0029AA. Kontrata dt. 30.04.2015 me koncensionarin “Mercedes Benz” Motoria srl firmosur nga përfaqësuesi Konsullatës Bari, modeli “Mercedes Benz, Classe E Berlina E 200 Blue TEC”.
– “Mercedes Benz, Classe E Berlina E 200 Blue TEC” viti 2015 me nr. Shasie WDD2120061B234966 me vlerën e inventarit 32,400 Euro, me targa Ç0030AA. Kontrata dt. 30.04.2015 me koncensionarin “Mercedes Benz” Motoria srl firmosur nga përfaqësuesi Konsullatës Bari, modeli “Mercedes Benz, Ë205 Classe C – Limousine C 200 BlueTEC Automatic”.
Fondet e miratuara për ambasadat
Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se trupi diplomatik ka marrë fonde të konsiderueshme nga ana e ish-Ministrisë së Jashtme. Përmes një urdhri të 21.10.2014 është transferuar fondi për llogari të ambasadave në vlerën 21,158,635 lekë. Ky fond është transferuar për ambasadat e mëposhtme në vlerën 150,000 EURO;
Këto u ndanë tek Ambasada Paris për 30,000 EURO, Ambasada Berlin për 30,000 EURO, Ambasada Lubjana për 30,000 EURO, Ambasada Zagreb për 30,000 EURO, Ambasada Prishtinë për 30,000 EURO.
Me një urdhër të dytë në dhjetor të 2014 në fondet e ambasadave janë transferuar edhe 211 mijë euro të tjera me argumentin që ky fond të mos digjej. Këto para u ndanë mes misionit të NATO-s Bruksel për 150,000 EURO dhe misionit të BE-së Bruksel për 61,348 EURO.
Edhe pse janë kaluar paratë në një pjesë të mirë duket se ka pasur problematika në përmbylljen e procedurave ku ka edhe ambasada që nuk kanë bërë blerje të automjetit protokollar. /Monitor/