Financat – Tatimeve: Të prishet kontrata me kompaninë e kasave CKV NOKI ALBANIA

Pas një inspektimi të posaçëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve pak kohë më parë, Ministria e Financave ka kërkuar prishjen e njëanshme dhe pezullimin e kontratës me subjektin “CKV NOKI ALBANIA”, një nga pesë kompanitë e mirëmbajtjes së kasave.

Drejtoria eInspektimit Financiar në Ministrinë e Financave kreu inspektim në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe në subjektin “CKV NOKI ALBANIA” sh.p.k, me objekt “Zbatimi i kontratës nr.1696/EE, lidhur më datë 30.03.2012 ndërmjet Ministrisë së Financave, përfaqësuar me delegim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Nga inspektimi financiar publik i kryer u konstatua sa vijon – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e përfaqësuar nga ish-drejtori i përgjithshëm, ka lidhur kontratën pa u depozituar nga shoqëria e autorizuar garancia bankare në vlerën 500,000 USD në llogari të Ministrisë së Financave. Në kontratë është përcaktuar që të depozitohet garancia bankare për të gjithë periudhën e vlefshmërisë së kontratës, brenda 7 ditëve nga nënshkrimi i kontratës.

Gjithashtu Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka pranuar nga shoqëria “CKV NOKI ALBANIA” sh.p.k. garancinë bankare për mbulim pjesor të kontratës me garanci të kontratës, kundrejt detyrimit kontraktor për garanci bankare për të gjithë periudhën e vlefshmërisë së kontratës.

Garancitë bankare janë rinovuar 11 herë brenda 7 vjetësh nga subjekti “Raiffeisen Bank” sh.a. për subjektin “CKV NOKI ALBANIA” sh.p.k. Garancia bankare për shoqërinë “CKV NOKI ALBANIA” sh.p.k. ka përfunduar më datë 25.10.2014, thuhet në raportin e inspektimit nga Ministria e Financave.

“Mosplotësimi i këtyre kushteve kontraktore nga shoqëria e autorizuar, përbën kusht për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për përfundimin në mënyrë të njëanshme të kontratës dhe për konfiskimin e garancisë” thuhet në raport.

Inspektimi i Financave vë në dukje se, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nuk ka hapur proces gjyqësor me subjektin “Raiffeisen Bank” sh.a., për konfiskimin e garancisë në shumën për 500,000 USD, për llogari të Ministrisë së Financave.

Nga monitorimi i kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e kontratës, rezultojnë probleme që janë në mospërmbushje të kushteve të kontratës nga shoqëria “CKV NOKI ALBANIA” shpk. Kjo shoqëri ka dështuar në realizimin e kontratës objekt inspektimi dhe aktualisht po punon pa garanci bankare në vlerën 500,000 USD në llogari të Ministrisë së Financave.

Drejtoria e Inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave ka kërkuar përfundimin e  kontratës dhe propozimin për pezullimin e autorizimit./Monitor/

SHKARKO APP