Firmoset marrëveshja me Italinë, 16.4 mln euro kredi të butë për sektorin energjitik

Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të marrë 16.4 mln euro kredi të butë, nga shteti italian, në mbështetje të sektorit elektro-energjitik shqiptar.

Memorandumi i bashkëpunimit për përdorimin e fondeve të mbetura nga kredia e butë që Italia dha për këtë sektor është firmosur nga ministri Damian Gjiknuri, dhe ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani.

Kredia shkon për fondet e mbetura nga Programet “Ristrukturimi teknik dhe manaxherial i KESH-it dhe fuqizimi i sistemit elektrik shqiptar – APE 1” dhe “Ristrukturimi dhe Fuqizimi i Sistemit Elektrik shqiptar për integrimin e tij në sistemin e Ballkanit– APE 2”, që parashikonin dhënien një kredie të butë për Qeverinë shqiptare prej më se 93 milionë Euro dhe të një komponenti grant prej 1 milion Euro.

“Do të kemi investime që do të bëhen në zonën Himarë-Sarandë. Pra, krahas investimeve që ne po bëjmë për linjën e tensionit të lartë 110 kV, nënstacionet e reja Orikum-Himarë, tani do të kompletojmë plotësisht edhe rrjetin e shpërndarjes në atë zonë të rëndësishme për potencialet turistike. Do të investohen 8 milion euro në vitet e ardhshme”, tha ministri Gjiknuri.

 “I pari është fuqizimi i sistemit të shpërndarjes në zonën e jugut që ka edhe një potencial shumë të rëndësishëm turistik për vendin. Pjesa e dytë e aktiviteteve ka të bëjë me zgjerimin e sistemit të mbikëqyrjes dhe të kontrollit të të dhënave, sistemit Skada, i cili do të shtrohet pothuajse në të gjitha nënstacionet e vendit me 110 kolivolt. Me anë të këtyre projekteve sistemi elektroenergjitik shqiptar do të bëhet më i besueshëm dhe më i integruar në sistemin europian dhe dot a çojë energjinë vërtet aty ku duhet më tepër”, tha ambasadori italian Massimo Gaiani.

SHKARKO APP