Fishkëllima e së keqes!

Nga Arian Galdini/Nuk ka më keq sesa kur një qytetar, një popull, hesht kur e keqja  shpaloset me plotësinë e arrogancës, poshtërsisë, fëlligështisë dhe  padrejtësisë së saj. Heshtja në këtë rast është vetë e keqja. Në raste e  kohë të tilla, kur nuk flet, në fakt flet, e kur nuk vepron në fakt  vepron…
Duke qenë se ne shqiptarët ku bëj pjesë pa asnjë dyshim edhe unë,  jemi kthyer në një popull që ankimimet dhe shqetësimet i shprehim me  bollëk dhe plot pathos e ‘pastërti’ vetëm nëpër kafene, qoshe, blogje  dhe facebook; Duke qenë se ne shqiptarët jemi kthyer në blogista dhe  facebook-ista të paparë, apo kafetarista a qosheista që i kërkojmë  llogari gjithkujt, shajmë gjithkënd, ankohemi për këdo, e gjejmë fajin,  të keqen dhe problemin gjithmonë tek të tjerët, gjithmonë jashtë vetes;  Duke qenë se ne shqiptarët presim nga ‘frëngjitë e kotësisë’ me pushkët  tona të baltës, paragjykimit, sharjes, dyshimit, mosbesimit,  skepticizmit, shpifjes, dekurajimit dhe shpërfilljes këdo që përpiqet të  thotë, shkruajë, veprojë apo bëjë diçka; Duke qenë se ne shqiptarët nuk  zgjedhim asnjëherë të ndjekim të dobëtin, që është i tillë ngase është i  ndershëm, i zoti dhe me integritet, por na pëlqen të ndjekim të fortin  që shkëlqen nga foltorja e Partisë apo Pushtetit, nga ndriçimi i  studiove televizive apo luksi i veshjes dhe makinës; Duke qenë se ne  braktisim të mirin ngase e shohim të barabartë, braktisim të ndershmin  ngase e shohim të pafrytshëm, braktisim të talentuarin ngase e shohim si  problematik, vrasim kreativitetin ngase na prishet status quo-ja; Duke  qenë se ne nga frika ndjekim të fortin, nga padija i japim fuqi  batakçiut, nga skuthëria i shkojmë pas hajdutit;  Ja ku e kam një  histori që shpresoj e uroj se duhet të na buçasë mu në timpanët e  ndërgjegjes, nëse mundemi.
Kjo histori është për të gjithë ata që shfryjnë e bëjnë ‘tautologjira  pellazgjike’, kot së koti në facebook, për gjithçka ndodh në vendin  tonë, por që nuk kërkojnë dhe luftojnë për përgjigje në përballjen  reale. Kjo histori është për të gjithë ata që broçkollisin pafund nëpër  blogje, facebook, kafenera e qoshe, duke u ndjerë ‘burra e gra, djem e  vajza shumë të mirë’ meqë shfryjnë gjëra të mira virtualisht apo  kafeneikisht, por nuk bëjnë asgjë kur rreth nesh fishkëllen treni i së  keqes që përcjell cdo ditë drejt fëlligështisë viktimat e rradhës,  qofshin këta njerëz, ligje apo institucione, shpresë, moral, drejtësi  apo besim.
Sa më shumë fishkëllen treni i së keqes pranë apo rreth nesh, aq më  shumë e ngremë zërin si moralista e pastërtorë të mëdhenj, ne ‘të mirët’  e blogjeve, facebookut, kafeneve apo qosheve.
Nga blogjet, facebooku, e thashethemet e kafeneve dhe qosheve, u  kërkojmë llogari e shajmë pare e mbrapë ata që janë si ne qytetarë por  me zë e aktivizëm publik, të cilët as i paguajmë me taksat tona dhe as  na e kërkojnë e as ua japim votën. Ndërsa bëjmë këtë, ne mezi presim që  të shkojmë të shënojmë emrin në ndonjë aktivitet partie e të rrahim  shuplakat dhe ngjirrim zërin duke brohoritur për ndonjë Udhëheqës që  paguhet me taksat tona, votohet nga ne, e na vjedh , na mashtron, na  poshtëron, e na çdinjitetëzon neve..
Shpresoj të keni durim ta lexoni. Sidomos shpresoj të keni guxim ka  kuptoni. E shpresoj të gjeni forcën ta ktheni në sfidë ndaj vetes, e  paskëtaj ta kthejmë në sfidë ndaj njëri-tjetrit:
Kjo është një histori e shkurtër shkëputur nga libri i një autori  Gjerman: ‘Kur një Komb harron Zotin’, i cili rikujton trenat plot me  hebrej të cilët bënin udhën e tyre të përditshme drejt kampeve të  vdekjes e kalonin para Kishës ku mbidheshin besimtarë të krishterë çdo  të dielë, përfshirë edhe autorin e librit, gjatë periudhës së  Holokaustit.
‘Ulerimat e tyre na torturonin ne – shkruan autori – por ç’mund të  bënim ne për ta ndalur këtë.. Ne e dinim orën kur treni do të kalonte  pranë Kishës sonë, ndaj sapo dëgjonim fishkëllimën e trenit, ne fillonim  të këndonim himne ndaj Zotit. E ndërsa treni kalonte pranë Kishës sonë,  ne ngrinim zërat e këndonim me sa kishim fuqi deri në kupë të qiellit.
Nëse ulërimat e hebrejve, ende dëgjoheshin, ne vazhdonim ta ngrinim  akoma edhe më fortë zërin teksa këndonim. E ngrinim aq shumë zërin, saqë  filluam të mos i dëgjonim më ulërimat e hebrejve në trenin që po i  çonte drejt vdekjes.
Vitet kaluan, e askush prej nesh nuk flet për këtë gjë më. Por unë  ende e dëgjoj fishkëllimën e trenit në veshët e mij të ndërgjegjes  ndërsa fle. Zot më fal. Zot më fal që as unë, e askush tjetër nga ne,  nuk bëmë asgjë për të ndërhyrë që ta ndalnim atë marrëzi..’
Paralelizmi që kam unë në mendje me këtë histori është i thjeshtë dhe  i qartë. Dhjetra skandale me korupsion, plaçkitje, dëmtim a humbje  jetësh njerëzore në vendin tonë. Debate të pafundme, lodhëse deri në  rraskapitje, televizive e kuvendore për krimin që ka mbërthyer Kuvendin,  Partitë dhe Institucionet. Horrat janë bërë Deputetë e do të bëhen edhe  Kryetarë Bashkishë. Politikanët kanë bërë simbiozë me horrat, e krimi  është bërë politikë dhe politika krim. Gjithçka po ndodh, të gjithë po  ankohemi, asgjë nuk ndryshon. Atëherë çdo të bëjmë ne? Do të vazhdojmë  të ngremë nivelin e shfryrjes dhe zërin e ankimimit nga frëngjitë e  kotësisë, nga blogjet apo facebooku, nga kafenetë apo qoshetë, për tu  ndjerë vetë të mire, të drejtë e të pastër, e për të mos dëgjuar  fishkëllimën e trenit të së keqes që po na kalon përkarshi jetëve tona, e  çon drejt humbjes a vdekjes viktima që ulërasin?
Çdo ditë e keqja kalon karshi nesh. Çdo ditë e keqja na rrethon e na  fiton më shumë terren më shumë hapësira, më shumë numra. Çdo ditë treni i  së keqes fishkëllen. Çdo ditë ka njerëz që janë viktima, ka  institucione që janë viktima. Atëherë, do e lejojmë edhe më, këtë gjë?
A nuk ka ardhur vallë ende dita që të vendosim sot, jo neser, por  sot, që të jemi kurajozë e dinjitozë? Nuk do tia bëjmë vetes sot  pyetjen: Nëse jo unë, atëherë kush? Nese jo sot, atëherë kur?
Nëse do të heshtim a nëse do të mjaftohemi veç me ngritjen e  ankimimeve nëpër blogje, facebook e kafene, fishkëllimën e trenit, kemi  për ta pasur gjithmonë në ndërgjegjen tonë.

SHKARKO APP