Fituesit dhe humbësit e çmimeve të naftës

Është lehtësi e madhe për shoferët në Shtetet e Bashkuara, por dhimbje koke për vendet eksportuese të naftës, si Rusia dhe Irani.

Çmimi i naftës ka rënë 60 për qind në më pak se një vit.

Nafta e papërpunuar West Texas Intermediate, që është pikë referimi për naftën në Shtetet e Bashkuara, ka rënë nën 43 dollarë për fuçi, që është çmimi më i ulët në gjashtë vjet, ndërsa nafta e papërpunuar Brent është gati të arrijë në 50 dollarë për fuçi.

Rënia e fundit e çmimeve është shkaktuar nga disa raporte që flasin për teprica në furnizimet botërore me naftë dhe nga prodhimi i vazhdueshëm në SHBA nga shisti argjilor.

Avancimet në teknologji që mundësojnë nxjerrjen e naftës nga shisti argjilor kanë transformuar Shtetet e Bashkaura në prodhuesin më të madh të naftës në botë, pasi mbushin mbi 9 milionë fuçi në ditë.

Perspektivat e përmirësuara për marrëveshjen bërthamore me Iranin mund të kenë kontribuar po ashtu në rënien e çmimit të naftës, thonë ekspertët.

Irani ka qenë tradicionalisht prodhues dhe eksportues kryeor i naftës, por sanksionet ndërkombëtare, për të ndëshkuar Republikën Islamike për shkak të aktiviteteve të saj bërthamore, kanë kufizuar mundësitë e Iranit për të shitur naftë në tregjet botërore.

Nëse arrihet marrëveshje dhe hiqen sanksionet, Robin Mills, nga organizata konsulente për energji Manaar Energy, me seli në Dubai, thotë se Irani mund të mbushë më shumë se 800,000 fuçi në ditë për një treg që tashmë po noton në naftë.

Megjithatë, rënia e çmimeve të naftës është mirëpritur nga shumë. Shoferët, sidomos në Shtetet e Bashkuara, janë tejet të lumtur. Por, vendet si Rusia dhe Irani, që kanë naftën burim kryesor të të ardhurave, janë duke ndjerë dhimbjen.

Liza Ermolenko, specialiste e tregut në zhvillim, me bazë në Londër, thotë se nafta përbën më shumë se gjysnën e eksporteve në Rusi dhe rreth gjysmën e të ardhurave të buxhetit të vendit. Në vitet e fundit, thotë ajo, Rusia është bërë edhe më e varur nga çmimet e larta të naftës.

“Nafta dhe prodhimet e naftës janë eksportet kryesore të Rusisë. Andaj, kur çmimet e naftës bien, të ardhurat e eksportit të Rusisë bien ndjeshëm. Për shkak të strukturës tatimore në Rusi, kjo do të thotë se shumica e ndikimit bie në të hyrat e qeverisë, sepse taksat qeveritare shumicën e përfitimeve i kanë në eksportet e naftës dhe të prodhimeve të naftës”, thotë Ermolenko.

Ermolenko dyshon se rënia e çmimeve të naftës mund të jetë pjesërisht për shkak të politikave të Rusisë për të lejuar rublën që të humbasë dramatikisht vlerën. Monedha ruse ka rënë në rreth 60 rubla për një dollar, nga rreth 30 sa ka qenë verën e kaluar.

Ermolenko po ashtu thotë se Rusia shet naftën e saj në dollarë dhe pastaj i konverton paratë në rubla të zhvlerësuara, në mënyrë që të paguajë pagat dhe përfitimet.

Autoritetet u kanë vënë barrë qytetarëve të thjeshtë në formën e monedhës më të dobët dhe inflacionit më të lartë, thotë Ermolenko.

Por, cilat janë perspektivat për të ardhmen?

Parashikimi i çmimeve të naftës mund të jetë një biznes i ndërlikuar. Anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), përfshirë Arabinë Saudite, shtetet e Gjirit dhe Venezuleën, vënë bast se rënia e çmimeve në fund do të dobësojë prodhuesit e vegjël të naftës nga shisti argjilor në Shtetet e Bashkuara dhe do të çojë në rimëkëmbje të çmimeve.

Kjo mund të ndodhë ose të mos ndodhë. Me kalimin e kohës, forcat e tregut, megjithatë, do të nisin të ushtrojnë veten.

Kompanitë dhe konsumatorët do t’iu përgjigjen çmimeve të ulëta të naftës duke e përdorur më shumë atë – duke blerë për shembull makina të mëdha. Kjo do të rrisë konsumin dhe do të çojë në rritje të çmimeve.

Por, tash për tash, ka pak parashikime për rritje të menjëhershme.

SHKARKO APP