Fjalët e fundit të ballistëve: Edhe derr bëhem, por komunist nuk bëhem kurrë!

Organizata e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare për Lushnjën do t’i kërkojë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani t’u heqë dekorimin 67 personave të pushkataur më 23 tetori të vitit 1943 në Lushnjë me medaljen “Martirë të Demokracisë”.

Lajmin e bëri të ditur Vangjel Bello, kryetari i kësaj organizate, i ftuar dje në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku.

Bello tha se është duke u përgatitur letra publike që do t’i paraqesë kreut të shtetit me kërkesën, duke i bashkangjitur edhe argumentet përkatëse që sipas tij janë fakte dhe kundërfakte të pamohueshme.

Sipas Bellos, realisht ka qenë një veprim i ekzagjeruar i Mehmet Shehut për ekzekutimin e tyre, por se nuk ka vend që ata të dekoroheshin siç u bë.

Bello tha se partizanët e Brigadës së Parë kryen luftime ato ditë në Lushnjë kundër forcave balliste të Isa Manastirliut dhe Hamit Matjanit, sepse ata po vepronin si një bandë duke plaçkitur zonën madje duke përdhunuar edhe gra e vajza.

“Ndodhur në këtë situatë, Brigada e I-rë arriti ta shpartallojë këtë formacion duke kapur robër një pjesë të konsiderueshme” tha Bello, duke e pasuar këtë edhe me pushkatimin masiv.

Bello dha edhe një detaj interesant, sipas të cilit, pushkatimi është bërë në dy ditë të ndryshme.

Ditën e parë janë pushkatuar 29 persona dhe ditën e dytë janë pushkatuar pjesa tjetër.

Nga ana tjetër, Artan Murrizi, pasardhës i famijeve të pushkatuarëve, i ftuar edhe ai në këtë emision, e kundërshtoi ashpër kreun e organziatës së veteranëve, duke hedhur poshtë akuzat ndaj tyre.

Murrizi ka katër të pushkatuar në familje dhe një i pestë që sipas tij kishte arritur të shpëtonte gjatë momentit të pushkatimit.

“Një nga kushërinjtë e babait tim që ishte mes atyre që do pushkatohshin arriti të largohej me shpejtësi dhe nuk e zuri asnjë plumb.

Ai jetoi edhe pas Luftës së Dytë Botëtrore dhe ka vdekur në vitet ’70-të” tregoi Murrizi.

I pyetur se cila ka qenë arsye e këtij pushkatimi, Murrizi tha se e vetmja arsye është se ata nuk pranuan të bashkoheshin me forcat e Mehmet Shehut, sepse kjo do të thoshte se do bëheshin komunistë.

“Xhaxhai i babait tim është pushkatuar sepse tha: Edhe derr bëhem dhe komunist nuk bëhem kurrë.  Kjo e inatosi shumë Mehmet Shehun dhe i ekzekutoi me dorën e tij”, tha Murrizi.

SHKARKO APP