Flakët tek vila e Enver Hoxhës, ministri Gonxhja: Akt terrorist ndaj imazhit të Shqipërisë, në godinë ndodheshin 12 artistë

Sulmin me molotov ndaj vilës së Enver Hoxhës, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja e quan një akt të papranueshëm dhune dhe agresioni ndaj artit, lirisë dhe imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Sipas tij, në godinë ndodheshin 12 artistë, shumica të huaj, të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime. Ai e konsideron ngjarjen një sulm ndaj komunitetit artistik dhe vlerave demokratike të vendit, duke theksuar se projekte si ArtExplora përfaqësojnë hapjen, kulturën dhe orientimin evropian të Shqipërisë. Gonxhja kërkon gjithashtu që drejtësia të veprojë me përgjegjësi për këtë rast.

Postimi i plotë

Është absolutisht revoltuese të shohësh se si verbëria politike e një opozite të dëshpëruar nuk ndalet para asgjëje, duke lëshuar masivë molotovi mbi një godinë ku brenda ka artistë, njerëz, jetë dhe krijimtari! Të sulmosh me egërsi një qendër ndërkombëtare arti si ArtExplora, një nga fondacionet më prestigjioze në botë për mbështetjen e talentit dhe rezidencave artistike, është një akt terrorizmi që tenton të na kthejë pas në epokat më të errëta të hirit dhe shkatërrimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sot, në ato mure nuk ka më izolim ideologjik, por studio ku artistë elitarë nga e gjithë bota kanë zgjedhur të jetojnë e të krijojnë. Kjo vilë, e shndërruar në një tempull të mendimit të lirë, është dëshmia e triumfit tonë mbi diktaturën dhe dhuna e sotme është një sulm ndaj qytetërimit tonë që mbi kujtesën ngre ndërgjegjen. 12 artistë, shumica të huaj, e mes tyre edhe të rinj që vijnë nga vende me fronte lufte dhe që kanë përjetuar trauma, pikërisht sepse programi ka edhe natyrë sociale e solidare, ndodheshin sot aty, për fat pa pasoja, ndërsa po informojme e qetësojmë familjet. Një komunitet artistik që jeton e punon në atë objekt për të materializuar lirinë u terrorizua sot nga antiliria!

Swiss Digital Mobile Reklama

Ky nuk është opozitarizëm, ky është një agresion i hapur dhe i shëmtuar ndaj imazhit të ri të Shqipërisë dhe miqve tanë ndërkombëtarë! Ky akt i pabesë vandalizmi tregon fytyrën e vërtetë të një opozite që ushqehet vetëm me rrënim! Ata duan ta shohin Shqipërinë të mbuluar nga tymi dhe balta, sepse nuk e durojnë dot ringritjen tonë, nuk e durojnë dot suksesin e një vendi që po bëhet pikë referimi për kulturën dhe turizmin!

Ju mund të hidhni molotov, por nuk mund ta digjni dot frymën e lirisë. Vila31 x ArtExplora dhe artistët tanë në rezidencë nuk do të mposhten nga frika dhe ky shtet nuk do të lejojë që prapambetja dhe dhuna politike të marrin peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë! Do ndjekim me vëmendje nëse edhe këtë herë prokuroria do falë, si pa zarar, një krim ndaj jetës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?