Flet për “Koha Jonë” Ingrit Gjoni, rrëfehet “mbretëresha” bukurisë së këngës
Ndihem e kënaqur, se u mundova të bëja gjithçka që videoklipi të dilte i pëlqyer dhe ia arrita. Nuk jam aspak e menduar, pasi në 2015-ën do mundohem të sjell diçka akoma më të mirë.
Doktori Flori iku nga kjo botë e bukur, por halleshumë. A mendon se artisti do të iki edhe ai nga kjo botë, apo ikja është vetëm fizike, pasi lë pas vetes një arkiv me art dhe nuk e ndjet ikja?
Po flasim për një qenie njerëzore në radhë të parë, kurse në radhë të dytë, humbja e Florit na ka tronditur të gjithëve. Bashkohem me dhimbjen e familjarëve të tij. Ishte një shokim. Unë e kam përjetuar shumë keq lajmin, ai ishte miku im dhe më vjen shumë keq që iku nga jeta shumë shpejt. Dhimbja e tmerrshme që përjeton e ëma, nusja, fëmijët dhe të afërmit e tij është e pamasë; e nuk e di çfarë të them më tepër. Nuk kam fjalë të them, për një mik që largohet nga jeta në një moshe fare të re. Është drithëruese dhe e dhimbshme, e nuk ka fjalë që dalin nga zemra për një ikje të tillë të Florit nga kjo botë. Iku herët, por la pas një emër të madh në botën e artit.
Me motrën, Inisin, jeni vetëm motra apo edhe shoqe, mike?
Jemi motra shumë të ngushta, jemi tamam ashtu siç mund të thuhet fjala “motër” me plot kuptimin e saj. Shoqe jemi pak më pak dhe pse ndajmë çdo gjë bashkë, por e dua dhe e adhuroj si motër, se është e shkëlqyer. Unë kam edhe një motër tjetër, më të madhe dhe mendoj që jemi trekëndëshi perfekt i motrave ideale.
Çdo artist ka një datë fillimi të karrierës. Po ju mund të thoni për lexuesit pikëfillimin në botën e muzikës e të artit, pra kur keni filluar është pyetja?
Në boten e artit kam filluar 9 vjeçe duke kërcyer, kurse në moshën 17 vjeç kam filluar të këndoj në një nga emisionet më të ndjekura të asaj kohe, të Ardit Gjebreas, për herë të parë. Më pas ka evoluar karriera; mbarova Akademinë e Lartë për aktrim, por impenjimin më të madh të kohës ma zë muzika.
A mendoni se bukuria fizike ju ka dhënë një shtysë edhe me të madhe në botën e artit, apo mbetet thjesht një gjë më shumë në karrierën tuaj?
Hahaha! Është mirë të jesh edhe e bukur. Bën punën e vet edhe ajo pjesë, ndonëse asnjëherë nuk konkurrova për Miss, prapë më ka ndihmuar bukuria, besoj. Apo jo?
Besoj nuk keni droje të na thoni se cili artist shqiptar të pëlqen më shumë? Nëse të japim të na rreshtoni deri në tre emra, mund të na thoni se cilët janë?
Nuk do më mjaftonin vetëm tre, por meqenëse më keni caktuar tre, atëherë po ju them: Ardit Gjebrea dhe një gjeneratë tjetër e re. Për momentin më pëlqen Dafina Zeqiri, por ka dhe shumë të tjerë. Ju doni tre emra! U dhashë dy, por herën tjetër mund t’ju jap të tretin…
A të ka mikluar ndonjëherë ideja për të hyrë në botën e politikës?
Jo, asnjëherë! Nuk kam dashur ta çoj nëpër mend dhe pse si një qytetare e thjeshtë jap mendimin tim për politikën vetëm kur bëhet fjala për mënyrën e qeverisjes. Opinioni i imi është që objektivin e parë politika e ka të hahen me njeri-tjetrin dhe jo të çojnë vendin përpara. Nuk më pëlqen fare politika që bëhet dhe nuk merrem fare me të. Do isha e gatshme të ngrihesha vetëm sa i përket gjërave sociale, që ky vend të ecte përpara.
Nëse mund të na thoni për cilin ose cilën politikan(e) do të votoje hapur e pa ndonjë merak?
Për asnjërin!
Jetoni në Shqipëri apo silleni brenda idesë për të ikur jashtë shtetit?
Jo, jo! Më pëlqen vendi im, më pëlqen bota ta shëtis vetëm në mënyrën time, por jo të largohem nga Shqipëria.
Nëse do të ishe vetë kryetare komisioni për vlerësimin e artistëve. Çfarë note do ti vendosje vetes?
Nuk ndodh të vlerësosh veten. Nuk ka një kryetar komisioni që voton për veten! Artistit notën ia vendos publiku. Fakti që ju thoni se videoklipi i fundit është pritur shumë mirë atëhere notën ju e dini!
Cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën tënde? Po më i bukuri? Apo përherë jeta të ecur shkuar “vaj”?
Jeta nuk ka se si shkon “vaj”. Ka momente të mira dhe të këqija. Të këqijat si humbja e njerëzve më të afërt dhe të dashur nuk po i kujtoj tani. Të bukurat janë plot; karriera, familja dhe mbi të gjitha Zoti deshi që më dhuroi një engjëll të vogël që quhet Parid. Kjo është jetë për t’u jetuar, më të mirat dhe të këqijat që ofron kjo jetë.
Së fundi mund të thonë ndonjë që nuk e keni thënë nga 12 pyetjet?
Ju puth shumë.