Fluks turistësh në Ishullin e Maligradit në Prespë, mundësi për të kaluar ditët e nxehta
Ajo është kisha e Shën Mërisë.
Është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore. Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte arkeologjike si tjegulla, kollona e kapitele që i përkasin një kishe paleokristiane, që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit. Sipër këtij ishulli, ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të Car Simeonit të shekullit XI.
Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë. Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti.
Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.
Ishulli ka gjatësi rreth 800 metra e gjerësi rreth 200 metra dhe rrethohet nga shpate shumë të pjerrët, me përjashtim të pjesës perëndimore të tij. Në këtë ishull ka bimësi natyrore barishtore dhe shumë pak shkurre, shpella e zgavra karstike.
Prej kohësh, banorët e zonës së Prespës shkojnë aty me varka për të kryer shërbesa e rite fetare.
Ishulli nuk është i banuar, por popullohet në sezonin veror nga turistët e shumtë kurioz të historisë dhe kulturës vendase.
Mund të vizitohet duke ndjekur itinerarin Korçë – Zvezdë – Liqenas. Për tu futur në ishull përdoren varkat e peshkatarëve apo së fundmi edhe ato turistike. Udhëtimi me varka nëpër liqen është një tjetër kuriozitet për vizitorët e shumtë. Prespa në stinën e nxehtë tërheq pushues nga zona rreth saj për të bërë plazh në ujërat e liqenit, por edhe turist të largët që interesohen për historinë, kulturën, biodiversitetin për dhe për gastronominë e kësaj zone.