FMN: Buxheti, në rregull, kreditë e këqija jo, koncesionet me probleme
Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi rishikimin e rradhës të programit me Shqipërinë ndërsa lavdëroi planin për reduktimin e deficitit dhe kritikoi koncesionet dhe vonesat në reformat për reduktimin e kredive të këqija.
Nga Gjergj Erebara, BIRN
Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkomnbëtar miratoi rishikimin e pestë dhe të gjashtë të ecurisë ekonomike të Shqipërisë që shoqërohet me disbursimin e dy kësteve të kredisë prej 331 milionë eurosh, duke lavdëruar nga njëra anë disa reforma të kryera nga qeveria dhe duke tërhequr vëmendjen për koncesionet si dhe vonesat në zbatimin e masave që duhet të sjellin reduktimin e volumit të kredive të këqija nëpër banka si parakusht për rigjallërimin e kreditimit.
Të dy këstet e miratuara i japin Ministrisë së Financave ekujvalentin në SDR të 72.4 milionë eurove ndërsa totali i kredisë së disbursuar arrin në 226.8 milionë eurove.
Fondi Monetar Ndërkombëtar i jep kreditë në Special Draëing Rights, (SDR), një njësi matjeje e përdorur nga FMN si monedhë virtuale, vlera e së cilës përbëhet nga ekujvalenti i një shporte monedhash.
Zëvendës drejtori menaxhues i Fondit Min Zhu deklaroi pas mbledhjes së borxhit se rimëkëmbja e ekonomisë së Shqipërisë po vijon por rreziqet mbeten. “Veprimtaria e qeverisë në përputhje me marrëveshjen (me FMN) mbetet e fortë, përfshirë kryerjen e reformave ambicioze dhe të vështira,” tha ai.
Marrëveshja aktuale e Shqipërisë me FMN-në, e zbatuar që nga viti 2014, parashikonte rritje të njëhershme të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto me qëllim që të shlyeshin faturat e prapambetura dhe reduktim të fortë të borxhit si përqindje e PBB-së në periudhën 2016-2019 si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave të qeverisë të siguruara nga rritja e barrës fiskale nga njëra anë dhe përmirësimit të administrimit fiskal nga ana tjetër.
Por për shkak se gjatë vitit 2015, taksat shtesë mbi popullsinë nuk sollën rritje të të ardhurave, qeveria shqiptare këtë vit parashikoi të reduktojë deficitin duke ndërmarrë më shumë masa në drejtim të shkurtimit të shpenzimeve.
Në fjalët e Min Zhu, mes rreshtave dallohen disa vërejtje ndaj politikave aktuale, përfshirë politikat e reduktimeve të taksave për disa biznese dhe fushatën e dhunës kundër informalitetit.
“Objektivi i autoriteteve për të vijuar konsolidimin fiskal me një strategji përshtatjeje të bazuar te zgjerimin i bazës së taksueshme dhe përmirësimi i bindjes (së taksapaguesve) dhe administrimit fiskal, është një objekt i përshtatshëm,” tha Zhu. “Për këtë qëllim, ata duhet të reduktojnë mbështetjen e masave të njëkohëshme si dhe të shmangin dhënien e përjashtimeve të reja fiskale apo normave preferenciale të taksimit.”
Autoritetet shqiptare u kritikuan nga FMN më herët për disa masa të ndërmarra vitin e kaluar, të cilat qeveria i shpalli si “mbështetje për biznesin” por që rezultuan në dhënien e lehtësive fiskale për një numër minimal tatimpaguesish.
Nga ana tjetër, FMN i sugjeron qeverisë shqiptare që lufta kundër informalitetit të kryhet “me përshtatje më të mirë me praktikat ndërkombëtare dhe duhet të përqendrohet gjithnjë e më shumë te bindja vullnetare.” Ky është dukshëm një sugjerim shumë i ndryshëm nga fushata e qeverisë e vitit të kaluar, që synoi të luftojë evazionin fiskal jo përmes bindjes vullnetare, siç sugjeron FMN, por përmes shtimit të dhunës ndaj tatimpaguesve të vegjël.
FMN shprehu shqetësimin gjithashtu për faktin se investimet publike nuk po ekzekutohen siç duhet, një fenonem që po i kushton shqiptarëve shtrenjtë.
“Është e rëndësishme që të fuqizohet kapaciteti për ekzekutimin e projekteve të investimeve publike dhe që të sigurohet që ndikimi i çdo projekti të ri të Partneritetit Publik Privat mbi llogaritë fiskale të vlerësohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat ndërkombëtare,” deklaroi Min Zhu, sipas njoftimit për shtyp të FMN-së.
Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi pak javë më parë qeverinë shqiptare për praktikat e deritanishme të koncesioneve duke argumentuar se në thelb, këto koncesione po krijojnë detyrime për buxhetin e shtetit. Mes koncesioneve të fundit të debatuara është ai për sistemin elektronik të gjurmimit të faturave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, apo koncesioni i targave me cip. Dy koncesione të tjera të mëdha janë rrugës, ai për hidrocentralin e Poçemit dhe për hidrocentralin e Katundit të Ri.
Plani për kreditë me probleme has në probleme
FMN vërejti gjithashtu për të disatën herë se përpjekjet për të zgjidhur problemin e portofolit të lartë të kredive me probleme nuk kanë ecur siç qe menduar në fillim të programit dhe se zgjidhja e këtij problemi është parakusht për rritjen e kreditimit të ekonomisë. Aktualisht mbi 1 miliardë euro kredi të këqija presin për t’u trajtuar. Problemi është se strategjia për reduktimin e tyre duket se ka mbetur përgjysmë, përfshirë edhe diskutimet për një ligj të ri mbi falimentin, i cili duhej të hapte rrugën për likujdimin ose ristrukturimin e disa kompanive të mëdha të cilat janë përgjegjëset kryesore të kredive të këqia. Por qeveria aktualisht duket se e ka harruar për momentin këtë projektligj ndërsa trajtimi i problemit ka edhe një komponent të rëndësishëm politik, për shkak se kompanitë që rezultojnë kreditore të këqija shpesh kanë ndikim të konsiderueshëm në politikë dhe në media.
“Trajtimi i stokut të madh të kredive të këqija është thelbësore për të rigjallëruar kreditimin. Zbatimi në kohë dhe me forcë i strategjisë tërësore të planifikuar do të jetë thelbësore në trajtimin e problemit,” thotë FMN.
Deri në nëntor të vitit 2015, kreditë e këqija nëpër banka përbënin 20 për qind të totalit të portofolit të kredisë, nga 25 për qind që qenë në kulm të krizës. Gjithsesi, rënia e kredive të këqija në portofol nuk është mjaftueshëm bindës sa të marrë lëvdata nga FMN.