FMN kundër qeverisë: Zgjerimi i TVSH-së për biznesin e vogël barrë e rëndë
Në komisionin e ekonomisë u diskutua projektligji për Buxhetin 2018, e cila ndër të tjera parashikon që të përfshijë në skemën e TVSH-së edhe biznesin e vogël.
Aktualisht bizneset me që kanë një qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë janë të përjashtuar nga TVSH-ja. Megjithatë, sipas anëtares së opozitës Jorida Tabaku, ky vendim pritet që të shkojë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese. “Diskutojmë prej kohësh kohë për TVSH-në që do të vendoset pragu, pse qeveria i heq të drejtën parlamentin për të vendosur pragun e TVSH-së dhe ia jep këtë të drejtë qeverisë? Partia Demokratike do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese në rast se ky parlament do t’i japë atribute qeverisë që nuk i takojnë – tha Jorida Tabaku gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë.
“Edhe FMN-ja e ka kundërshtuar dhe nuk do të sjellë asnjë përfitim pasi do të ketë kosto shtesë mbi administratën dhe nuk do të keni mundësi që ta mblidhni” – shtoi deputetja Tabaku.
Në një reagim, Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se. “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual”. “Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin kanë vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, tha shefi i FMN-së.
Më herët qeveria kishte deklaruar se në skemën e TVSH-së do të përfshihen të gjitha bizneset e vogla, duke mbyllur kështu zinxhirin e transaksioneve. Mirëpo, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se pragu do të ulej nga 5 milionë në 2 milionë, duke lënë jashtë skemës fermerët, artizanët dhe një grup profesionesh./monitor/