FMN në Tiranë, takon Ahmetajn dhe Sejkon

Misioni i radhës i FMN-së ka mbërritur në Tiranë, ku takimet e para janë zhvilluar me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe guvernatorin Gent Sejko. Me ta është diskutuar për ecurinë e të ardhurave dhe gjendjen e ekonomisë. Takimet do të vijojnë pasdite në nivel teknik, ku do të diskutohet për buxhetin, rishikimi i të cilit do të bëhet në korrik. Përfaqësuesit e Fondit Monetar do të qëndrojnë në Shqipëri deri më 28 qershor, ditë ku do të zhvillojnë edhe konferencën e përbashkët për shtyp dhe ku do të japin përshtypjet e tyre për gjendjen e ekonomisë shqiptare dhe rekomandimet për qeverinë.

FMN ka mbërritur sërish në Tiranë për të analizuar ecurinë e deritanishme të ekonomisë dhe programin me qeverinë shqiptare. Takimi i parë, në axhendën e gjatë dy javore të qëndrimit në Shqipëri është zhvilluar që herët në mengjes me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj në zyrën e këtij të fundit. Mësohet se përgjatë një ore e gjysmë që ka vijuar takimi, përfaqësuesit e Fondit kanë diskutuar me kreun e Financiave për ecurinë e të ardhurave, ku shifrat e 5- mujorit tregojnë një performancë pozitive të administratës fiskale, por edhe për gjendjen e ekonomisë, ku klima e biznesit mbetet shqetësimi kryesor, i shprehur publikisht edhe nga përfaqësuesi rezident i FMN-në në Tiranë, nga kontaktet e këtij të fundit me investitorët vendas dhe të hjuaj.

Pas takimit me Arben Ahmetaj, misioni i FMN-së është ndalur te Banka e Shqipërisë, godina e së cilës ndodhet vetëm pak metra më tutje nga dikasteri  Financave.

Takimi me guvernatorin Gent Sejko ka zgjatur më pak se ai me kyefinancierin Ahmetaj. Me kreun e autoritetit mbikëqyrës bankar është diskutuar mbi ecurinë e ekonomisë, ku banka është më konservatore në pritshmëritë e saj për rritjen, por edhe për politikën monetare dhe ndikimin e kësaj të fundit te ekonomia dhe veçanërisht te kreditimi dhe konsumi.

Në orët e pasdites, përfaqësuesit e FMN-së do të diskutojnë në nivel teknik edhe për bxuhetin, ku në korrik do të bëhet edhe rishikimi i tij dhe ku ndryshe nga katër vitet e fundit, nuk do të ketë shkurtime, por kryesisht rialokime fondesh. Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Tiranë deri më 28 qershor, ditë kur do të zhvillohet edhe konferenca e përbashkët për shtyp dhe ku do të jepen përshtypjet për gjendjen e ekonomisë dhe rekomandimet për qeverinë.

SHKARKO APP