FMN nis “skanerin”, takon Guvernatorin
Misioni i radhës në Shqipëri iFondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, i kryesuar nga Nadeem Ilahi, ka nisur konsultimet e tij me kreun e Bankës së Shqipërisë. Kështu,Guvernatori i ri Gent Sejko, mësohet se zhvilloi një takim me delegacionin përkatës të institucionit të njohur financiar ndërkombëtar, misioni i të cilit është pjesë e rishikimit periodik të marrëveshjes trevjeçare që qeveria shqiptare ka me të. Konkretisht, gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e Fondit me zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në vend. Ai u ndal veçanërisht në trajtimin e sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare: kuadrin e politikave makro-ekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike; identifikimin e masave për nxitjen e kreditimit dhe forcimin e stabilitetit financiar. Guvernatori Sejko theksoi gjithashtu edhe vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të respektuar detyrat e saj ligjore, për të forcuar rolin e mbikëqyrjes bankare; për të rritur më tej transparencën e politikave dhe komunikimin, si dhe për të bashkëpunuar me të gjithë autoritetet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë në adresimin e çështjeve të stabilitetit dhe të zhvillimit ekonomik. Nga ana e tij, kreu i misionit të FMN-së, Nadeem Ilahi ritheksoi rolin e rëndësishëm që luan Banka e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar në vend, si dhe shpalosi çështjet prioritare, të cilat do të jenë në fokus të këtij rishikimi periodik të marrëveshjes. Sikundër, shprehu gjithashtu besimin e plotë në profesionalizmin e Bankës së Shqipërisë dhe theksoi gadishmërinë për ta asistuar më tej atë në fushën e zhvillimit të saj institucional. Kujtojmë sakaq se misioni i radhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka mbërritur në Tiranë për rishikimin e katërt të marrëveshjes trevjeçare me Shqipërinë,
do të zhvillojnë takime të tjera me autoritetet e ekonomisë dhe financave për t’u njohur me ecurinë e zbatimit të marrëveshjes. Teksa do të pretendojnë që të njihen edhe me ecurinë e treguesve fiskalë dhe të borxhit. Ku në themel të bisedimeve do të jenë shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe një revizionim i mundshëm i treguesve nisur nga përmbytjet në jug të vendit.
POROSITË
FMN-ja do të japë këshillojë drejtuesit e Bankës Shqipërisë për efektet që mund të vijnë sistemit bankar nga rishikimi i planeve të bankave mëma në Greqi dhe Europë. Kurse me ministrinë e Ekonomisë mësohet se do të diskutohen çështjet e reformave strukturore si edhe problematikat që kanë të bëjnë me mosrealizimin e investimeve publike.