FMN: Reformë në drejtësi, duhet patjetër për biznesin
Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi sot raportin e radhës mbi politikat monetare dhe ecurinë e ekonomisë së Shqipërisë.
Në një konferencë për mediat me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, shefja e Europës Lindore dhe Jug-lindore e FMN-së, Anita Tuladhar vuri theksin tek vijimi i reformave strukturore për përmirësimin e klimës së biznesit, mes të cilave edhe asaj në drejtësi.
“Për të përmirësuar klimën e biznesit më tej, nevojitet që të vazhdohet puna me reformat strukrurore sa i takon të drejtave të pronësisë, reformës në drejtësi dhe në fushën e së drejtës së shoqërive”, tha Tuladhar.
Në këtë drejtim, FMN shton se një ndihmesë do të japë edhe ligji i falimentimit.
Sa i takon sistemit bankar, FMN vëren se sistemi është i qëndrueshëm dhe likuiditet. FMN konfirmon në raport dy karakteristika në këtë sektor.
“Sistemin bankar është i qëndrueshëm, stabël dhe likuid. U vu re një ulje e mëtejshme e kredive të këqia, por sfidë mbetet rritja e kreditimit për zhvillimin e ekonomisë”, thotë Fondi.
Fondi thotë se me qeverinë ka biseduar mbi mundësinë e uljes së shpenzimeve buxhetore dhe efekteve që ato kanë në ekonomi dhe zhvillimin e vendit.
Nga ana e tij, ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se për qeverinë nuk janë primare investimet, por krijimi i klimës për biznesin.
“Qëllimi i Qeverisë është që faktori primar në investime të jetë sektori privat, jo Qeveria”, tha ai.
Ahmetaj shtoi se me aksionin anti-informalitet ekonomia shqiptare ka lënë pas krahëve skenarin grek dhe ka hyrë në një fazë të re, atë që ai e quajti “gjetja e mjeteve të zgjuara të rritjes”.