FMN: Shqipëria, po rritet ekonomikisht

 shqiptare për mekanizimin e zgjeruar të fondit, shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, flet nga zyra e tij në Uashington për herë të parë lidhur me arsyet që e çuan Fondin në këtë zgjedhje. Në një intervistë për “Monitor”, ai pohon se barra e energjisë në buxhet dhe situata e krijuar në Bankën e Shqipërisë ishin dy pikat e nxehta, që detyruan Fondin të deklaronte se do të kthehej në një datë të dytë, për të cilën ai thotë që ende nuk është fiksuar….

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare deri tani, si ka qenë në përputhje me pritshmëritë, cilat janë rreziqet dhe potencialet për të ardhmen?

Nga një perspektivë e gjerë, performanca e ekonomisë ka qenë sipas parashikimeve, në mos më mirë, në krahasim me aty ku filluam një vit më parë. Rritja ekonomike në tërësi ka qenë në rrugën e duhur. Edhe shifrat e fundit të tremujorit të dytë të vitit, që flisnin për rritje negative, ishin pjesë të pritshmërive, duke pasur parasysh se një vit më parë, ecuria në tremujorin e dytë ishte shumë e fortë. Ne nuk gjejmë asnjë arsye që të ndryshojmë pritshmëritë për rritjen ekonomike për këtë vit. Të ardhurat nga taksat në përgjithësi kanë pasur ecuri të mirë. Kishim disa dyshime në misionin e fundit nëse kthimi i detyrimeve po bëhej si duhej. Po tregohen shenja të qarta përmirësimi, pjesërisht ngaqë ekonomia po përmirësohet dhe pjesërisht për shkak të miradministrimit. Disa taksa ende nuk po performojnë mirë, por ideja jonë është se dhe ato do ta përmirësojnë ritmin, ndaj ne nuk shohim ndonjë shqetësim në këtë pikë. Pra, mund të themi që taksat kanë pasur ecuri të mirë. Kredia ka qenë e dobët vitin e fundit, por dhe ajo po shfaq shenja gjallërimi.

Për ta përmbledhur, në pikëpamjen tonë, ekonomia po ecën më mirë. Një nga gjërat e mira që është bërë vitin e fundit është ecuria e politikave buxhetore, që ka vepruar pozitivisht në drejtim të stabilizimit të ekonomisë. Kemi pasur ecuri të mirë në mbledhjen e taksave, përpjekje për të ulur borxhin dhe për të frenuar shpenzimet. A ka rreziqe në këtë kuadër? Po, pa dyshim. Nëse keni një sektor energjie që krijon kosto të lartë në buxhetin fiskal, atëherë duhet të pyesim se cili do të jetë efekti i kësaj situate te taksapaguesit. Ky është një shqetësim i vazhdueshëm në radarin e qeverisë. Ka dhe rreziqe të tjera gjithashtu, sidomos ato të jashtme, duke pasur parasysh se çfarë po ndodh në Eurozonë, e cila po tregon shenja dobësie dhe ekonomia shqiptare është e lidhur me këtë zonë ekonomike. Kjo është një tjetër fushë ku deri tani nuk po shohim shumë shenja pozitive.

 

Pse nuk jeni i shqetësuar në lidhje me rezultatet e ekonomisë në tremujorin e dytë?

Kjo ishte në përputhje me pritshmëritë. Ne e kemi diskutuar dhe brenda ekipit tonë, se tremujori i parë do të ishte i fortë, i dyti i dobët dhe i treti do të sillte sërish një rimëkëmbje të fortë. Pra, deri tani kjo ecuri është në linjë me atë që prisnim. Ekonomia po fillon të rimëkëmbet. Në shumë mënyra, politikat dhe besueshmëria po ecin në rrugën e duhur. Agjentët ekonomikë e dinë se reformat ekonomike po ecin përpara. Kemi parë reformën e pensioneve, tashmë po diskutohet për reformën e energjisë. Këto janë problemet e mëdha strukturore që ka ekonomia dhe po adresohen ngadalë. Në shumë mënyra, unë mendoj se Shqipëria po bëhet një vend që ka një mjedis biznesi pozitiv për shkak të këtyre zgjedhjeve. Ndaj besimi i agjentëve brenda dhe jashtë Shqipërisë duhet të rritet. Ndaj ne presim që rritja të arrijë në rreth 3.3% vitin e ardhshëm. Siç e thashë dhe më parë, ka rreziqe për këtë pritshmëri, gjithashtu dhe për shkak të asaj që po ndodh në Europë, por kjo është diçka që ne do ta vlerësojmë gjatë rrugës.

 

Por, ritmet e rritjes së eksporteve po ngadalësohen dhe konsumi mbetet i dobët…

Konsumi ka qenë gjithnjë pika e dobët. Por të dhënat e fundit të treguesve të besimit tregojnë se konsumi po përmirësohet. Unë mendoj që elementi që i shtohet rimëkëmbjes ekonomike është dhe kthimi i detyrimeve të prapambetura, që ka ndihmuar në sigurimin e likuiditetit të nevojshëm në sektor.

 

Qeveria shqiptare po planifikon të rrisë çmimet e energjisë në fund të vitit 2014 dhe kjo interpretohet gjerësisht si një parakusht nga FMN (që po i kërkon qeverisë të reduktojë barrën e energjisë me çdo kusht). A e shikoni këtë si zgjidhjen më të mirë, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të ketë nivel të lartë humbjesh. Si prisni që ta ndikojë kjo ekonominë?

Sensi i pyetjes është i drejtë, në kuptimin që ne u kërkojmë autoriteteve të reduktojnë barrën e energjisë në buxhetin e shtetit.Ky është pikërisht shqetësimi ynë. Shqetësimi ynë nuk është shumë se sa duhet të jetë çmimi, sa duhet të jenë humbjet, por se sa e ndikon kjo situatë buxhetin.

Ne e shohim situatën në këtë këndvështrim. Ndërkohë qeveria është në diskutime me Bankën Botërore, se si të ecin përpara me programin e energjisë, që përmban elementet e duhura. Ne e kuptojmë që kjo nuk mund të bëhet brenda natës, apo në një vit dhe nuk mund të bëhet vetëm duke rritur çmimet. Problemi është shumë më kompleks se kaq dhe ne e kuptojmë që duhet të ndodhin një sërë zhvillimesh dhe njëri prej tyre është regjimi i çmimeve. Se si do të ndodhë kjo, me çfarë frekuence, për këtë po punon Misioni i Bankës Botërore. Pikëpamja jonë është se humbjet që vijnë nga sektori i energjisë, me kalimin e kohës, duhet të ulen. Politikat më të mira që qeveria mund të ndjekë për ta bërë këtë do t’i vendosë me Bankën Botërore. Kërkesa e FMN-së është që barra fiskale e humbjeve të energjisë duhet të reduktohet me kalimin e kohës, për shkak se, nëse nuk ndodh kjo, atëherë taksapaguesit do të duhet të paguajnë për këtë. Atëherë do të duhet të rrisnin taksat në të ardhmen. Në pikëpamjen tonë, kjo do të krijonte një përhapje të problemit nga një sektor te sektorë të tjerë, të cilët sot po ecin mirë.

 

Duke pasur parasysh që ka shumë njerëz që nuk kanë matës dhe nuk paguajnë asgjë për energjinë, në rast se do të rrisni çmimet, kjo nuk do t’i ndikojë ata. Pra në këtë këndvështrim përbën më shumë sens që të merren masa të tjera sesa të veprohet me çmimet. Si mendoni se duhet ta zgjidhë qeveria këtë barrë dhe sa është shuma që i kushton buxhetit energjia?

Kjo është një çështje që ende po diskutohet. Kosto në buxhet nuk është e vogël dhe do të vazhdojë të rritet, nëse nuk vijohet me reforma. Sektori po lëngon çdo vit dhe çdo vit do të bartë kosto. Çështja është a mund të hartoni politika që do ta reduktonin këtë kosto në zero. Siç e thashë më parë, kjo do të duhet të ndodhte ndoshta në katër apo pesë vjet dhe do të balancojë një numër faktorësh. A do të jetë njëra prej tyre rritja e çmimeve. Ne nuk e dimë. Duke pasur parasysh që ka shumë njerëz që nuk kanë matës dhe nuk paguajnë asgjë për energjinë, në rast se do të rrisni çmimet, kjo nuk do t’i ndikojë këta njerëz. Pra, në këtë këndvështrim përbën më shumë sens që të merren masa të tjera sesa të veprohet me çmimet. Është një situatë më komplekse se në vendet e tjera, ku thua p.sh. se ka shumë subvencione dhe prandaj duhet të rrisim çmimet.

 

Por, qeveria duket se është e vendosur për rritje çmimi…

Nuk kemi akoma asnjë njoftim zyrtar në këtë drejtim. Por siç e thashë, rritja e çmimeve është një prej politikave. Ka dhe tre apo katër të tjera, por se si do të veprohet konkretisht, me këtë çështje po merret Banka Botërore.

 

Cilat janë rekomandimet tuaja për planifikimin e buxhetit 2015? Qeveria shqiptare po planifikon të rrisë sërish disa taksa në 2015 (sërish kjo interpretohet si një parakusht nga FMN që po e shtyn qeverinë drejt konsolidimit fiskal), ndërsa biznesi shqiptar po kërkon me forcë reduktimin e barrës së taksave për të luftuar ekonominë informale, si dhe zgjerimin e bazës së tatimpaguesve.

Ky nuk është një parakusht në programin e FMN-së, siç e parashtroni ju. Ju thoni që FMN po e nxit qeverinë drejt konsolidimit fiskal. Mbani mend që kur nisëm diskutimet një vit më parë kishte konsensus të gjerë në Shqipëri, se nivelet e borxhit publik ishin shumë të larta. Pra, pranohet gjerësisht fakti që nivelet e larta të borxhit duhet të ulen. Kjo duhet bërë në një mënyrë që të jetë e mirë për ekonominë dhe jo dëmtuese, por në thelb ne duhet të shkojmë drejt konsolidimit fiskal, në mënyrë që të reduktojmë borxhin. Çështja është se ne nuk i tregojmë qeverisë që ju duhet të rrisni këtë apo atë taksë. Ne u themi që këtu është niveli i rregullimit që duhet bërë dhe pikëpamja jonë për ta çuar këtë në një rrugë të qëndrueshme në katër apo pesë vjet dhe ka qenë qeveria ajo që e ka zgjedhur. Faktet janë që Shqipëria ka ndër nivelet më të ulëta të shpenzimeve buxhetore në rajon në raport me PBB, pra a mund të shkurtojmë më shumë shpenzime. Ndoshta jo. Ka disa gjëra që mund të përmirësohen në drejtim të shpenzimeve, që do të jenë pjesë e diskutimeve, por pikëpamja jonë është se pjesa më e madhe e konsolidimit duhet të vijë nga taksat. Qeveria po vendos se në cilat taksa të veprojë, çfarë shpenzimesh të shkurtojë dhe kjo është diçka që ne do ta diskutojmë me të.

 

Lidhur me rishikimin e dytë të marrëveshjes në kuadër të mekanizimit të zgjeruar të Fondit me qeverinë shqiptare, a keni ju afate të reja? Pse e shtytë rishikimin dhe e latë Shqipërinë pa dhënë konferencën e pritur për shtyp?

Ka dy çështje kryesore që ndikuan këtu. Njëra është buxheti për vitin 2015 i lidhur me çështjen e energjisë dhe mbështetja që ajo merr nga buxheti. Pikëpamja jonë është se kjo mbështetje duhet të reflektohet si subvencion dhe duhet adresuar me veprime, që qeveria po i ndërmerr me Bankën Botërore. Çështja tjetër lidhet me situatën në Bankën e Shqipërisë, që ishte shumë aktive në atë kohë dhe misioni priti të qetësohej, në mënyrë që banka të vepronte si një institucion i pavarur dhe në të mund të zhvillojmë diskutimet dhe ato të ecin përpara. Nuk kemi ende ndonjë të re lidhur me datën kur do të kthehemi.

 

Çfarë veprimesh prisni konkretisht nga qeveria lidhur me energjinë?

Këto reforma po diskutohen me Bankën Botërore. Kjo reformë ka një numër elementesh, që janë shumë më tepër sesa vetëm rritja e çmimeve. Po diskutohet për ndryshim të modelit të tregut dhe shumë gjërave të tjera, që janë në shumë mënyra çështje të qëndrueshme. Duhet ende të diskutojmë se sa përpjekje do të ketë për të ecur përpara me këto reforma dhe më pas do të bëjmë llogaritë se si do të jetë kuadri makroekonomik fiskal. Është shumë e vështirë që ta thuash në këtë fazë.

 

Largimi juaj pa arritur marrëveshje çoi dhe në shtyrjen e pagesës së këstit të radhës së kredisë së FMN-së. A mund të vihet qeveria në vështirësi nga kjo, duke qenë se do të detyrohet t’i drejtohet tregut të brendshëm për të siguruar ato para që priste t’i merrte nga ju?

Ne nuk shohim ndonjë problem këtu. Tregu i brendshëm i letrave me vlerë po ecën mirë. Yield-i është reduktuar, tregjet e kuptojnë që kjo është çështje kohe. Siç e kemi thënë, misioni do të kthehet, si rrjedhojë puna vazhdon dhe kjo është një çështje rregullimi, do të merret hua tani në tregun e brendshëm dhe më pas do të merret më pak hua lokalisht. Ne nuk e shohim këtë si një problem kryesor.

 

Si e shikoni situatën e fundit të krijuar në Bankën e Shqipërisë dhe procedurat për të zgjedhur një Guvernator të ri?

Lidhur me procedurat për të zgjedhur një Guvernator të ri, kjo është diçka për të cilën ne nuk kemi ndonjë pikëpamje përcaktuese. Ne kemi dëgjuar deklaratat e qeverisë që kërkojnë të zgjedhin një profesionist dhe pa lidhje politike. Është e vështirë për ne që të fillojmë të përcaktojmë se për çfarë duhet të kërkojë qeveria. Ka një sistem në Shqipëri që duhet të ndjekë rrjedhën e tij.

 

A jeni të shqetësuar për pavarësinë e Bankës së Shqipëri, pasi qeveria shqiptare ka deklaruar se do të bëjë disa ndryshime në ligjin për Bankën e Shqipërisë, në mënyrë që të ketë më shumë kontroll mbi bankën?

Ne nuk e dimë se çfarë kuptoni me ndryshime. Ajo që dimë është që kemi një situatë ku ka një sërë emërimesh që duhet të bëhen në Bankën e Shqipërisë, lidhur me guvernatorin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Këto emërime duhet të ndjekin rrjedhën ligjore. Nuk shohim ndonjë shenjë për të reduktuar pavarësinë.

“Monitor”

SHKARKO APP