Fondet për Bashkitë – Në 2018-ën, 5% më shumë nga transferta e pakushtëzuar
Transferta e pakushtëzuar për vitin 2018 për pushtetin vendor do të jetë 5 % më e madhe se fondet e përfituara gjatë këtij viti.
Sipas një udhëzimi plotësues të Ministrisë së Financave, për hartimin e buxhetit, fokusuar te financat e qeverisjes vendore, sqarohet se duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm njësitë e qeverisjes vendore përfitojnë 25 % të të ardhurave nga taksa vjetore për qarkullimin e mjeteve të përdorura, si dhe 2 % të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale.
Ndërsa transferta specifike për vitin2018 do të jetë në të njëjtin nivel financimi si në 2017. Të gjitha këto specifika për përfitimin e fondeve gjatë vitit të ardhshëm buxhetor, janë përcaktuar qartë në udhëzimin plotësues të Ministrisë së Financave për hartimin e programit afatmesëm buxhetor për njësitë e qeverisjes vendore.
Ky udhëzim përmban tavanet përfundimtare të shpenzimeve dhe afatet për përgatitjen e këtij drafti.
Bazuar në këtë udhëzim, brenda datës 15 shtator, njësia e qeverisjes vendore dërgon në Ministrinë e Financave dokumentin e programit buxhetor afatmesëm, ndërsa ky dikaster zhvillon seance konsultimi me këto njësi brenda datës 5 tetor.