Fondi i nxitjes së punësimit në Tiranë, Veliaj: Punësuam të rinj dhe ndihmuam biznese të gjenerojnë të ardhura
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ishte sot në Vaqarr ku vizitoi kompaninë “ELAL-COM”, e specializuar në prodhimin e materialeve për instalime elektrike, e cila ka përfituar nga Fondi i Nxitjes së Punësimit duke punësuar 24 të rinj. Pasi vizitoi ambientet e kompanisë dhe u takua me të gjithë të rinjtë e punësuar, Veliaj tha se ky biznes është fillimisht, një burim punësimi dhe të ardhurash për të gjithë zonën e Vaqarrit. Sipas tij, Fondi i Nxitjes së Punësimit është mënyra më e mirë për të ndihmuar njerëz me ndihmë ekonomike që të punësohen. “Nëpërmjet strategjisë tonë për zyrat e punës dhe Fondit të Nxitjes së Punësimit, kemi investuar në biznese të tilla si ky, ku punësohen të rinj dhe sjellin risi në përdorimin efiçent të energjisë. Më vjen mirë që Fondi i Punësimit ka rezultuar i suksesshëm dhe që 24 të rinjtë e punësuar këtu u shprehën të kënaqur”, u shpreh Veliaj. Ai tha se kjo tregon që investimi i bërë nëpërmjet Fondi të Punësimit ishte i drejtë dhe se ka ardhur koha që, jo vetëm qeveria qendrore, por edhe ajo vendore, duhet të promovojë dhe investojë në ato kompani që punësojnë të rinj dhe sjellin risi në menaxhimin e qyteteve tona. Drejtuesi i kompanisë “ELAL-COM”, z. Bedri Sulaj, tha se “jemi shumë të kënaqur për skemën e re të aplikuar nga Fondit i Punësimit. Të gjithë ata që janë punësuar te ne kanë gjetur veten, janë bërë profesionistë, bëjnë punë konkrete dhe gjëra të bukura për të hijeshuar qendrat e qyteteve tona”. Në vitin 2014, Fondi i Nxitjes së Punësimit u trefishua në 2.7 milion dollarë, nga të cilat përfituan 356 biznese dhe u punësuan 4000 punëkërkues të papunë. Në vitin 2015, fondi u dyfishua në 4.5 milion dollarë dhe u punësuan 6000 punëkërkues të papunë.