Forcimi i lekut amortizon efektet e thatësirës, inflacioni në gusht rritet vetëm 1.6%
Edhe pse vera këtë vit nuk ka qenë aspak favorizuese për bujqësinë për shkaka të thatësirës së tej zgjatur çmimet e ushqimeve në gusht patën një ritëm më të zbutur të rritjes se sa vitin e kaluar. IINSTAT raportoi sot se, rritja e përgjithshme e çmimeve në muajin e kaluar ishte 1.6 për qind. Këto ishin ritmet më të ulta të rritjes që nga tetori 2016.
Banka e Shqipërisë duke bërë një analizë të detajuar të zhvillimeve arriti ne përfundimin se presionet inflacioniste janë frenuar për shkak të sjelljes mbiçmuese të monedhës vendase, duke reduktuar inflacionin total mesatarisht me 0.2 pikë përqindje, gjatë periudhës janar 2016 – qershor 2017.
INSTAT referon se rritja vjetore e çmimeve në muajin gusht është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,26 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “pije alkoolike dhe duhan”, “transporti” dhe “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupeve “veshje dhe këpucë” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar respektivisht me -0,08 dhe -0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “argëtim e kulturë” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin gusht 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,3 %, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,0 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1 %, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “shërbimi arsimor” me 0,7 %, “komunikimi” me 0,6 %, “transporti” me 0,4 %, etj.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rriten me 11,0 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet“ me 7,5 %, “peshk” me 3,2 %, “qumësht, djath e vezë” me 2,6 %, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 2,3 %, etj.
Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 3,1 %. Ndryshimi mujor i indeksit është + 0,4 %. Krahasuar me muajin Korrik 2017 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,0 %, pasuar nga grupi “transporti” me 0,5 %, etj.
Ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “veshje dhe këpucë” me 0,4 %. /Monitor/