Forcohet tregu i sigurimeve, po rriten pagesat e dëmeve

Forcohet tregu i sigurimeve në Shqipëri, duke folur për një rritje të kulturës së të siguruarit si e tillë tek qytetarët. Sikundër, në të njëjtën kohë, edhe kompanitë që operojnë në këtë treg po referojnë gjithmonë e më shumë një gadishmëri të shtuar për të paguar dëmet e shkaktuara ndaj klientëve të tyre të siguruar. Një dukuri të tillë e tregon raporti më i fundit i publikuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF), sipas të cilit, për dy muajt e parë të këtij viti është vënë re një rirtje e të ardhurave, kontratave, por edhe e shlyerjes së dëmeve nga ana tjetër. “Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shkurt 2015 kapën vlerën mbi 2.007 milionë lekë, ose 16.75% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2014. Gjatë periudhës janar – shkurt 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 141,650 me një rritje prej 5.13% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2014”, referon konkretisht ky raport. Duke shtuar nga ana tjetër se tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.36% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.64%. Kurse parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, ekspertët e AMF-së bëjnë me dije se primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.12% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.88% të totalit të tregut. “Gjatë periudhës janar – shkurt 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 439 milionë lekë, ose 7.56% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2014”, konfirmojnë gjithashtu ata. Për të vërtetuar kështu, dukurine e pohuar më lart, se ka një shtim të pagesës së dëmeve prej kompanive që operojnë në tregun e sigurimeve ndaj klientëve të tyre.

 

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar – shkurt 2015 u rritën me 7.56% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2014. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 324 milionë lekë, apo 73.66% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

 

 

 

TREGUESIT

 

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

 

* Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar – shkurt 2015 arritën mbi 1,162 milionë lekë, ose 35.48% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2014.

 

* Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar – shkurt 2015, pati një rritje prej 38.46% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 5.93% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2014.

 

* Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar – shkurt 2015 pati një ulje prej 14.05% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 19.73% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2014.

 

* Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar – shkurt 2015, pati një rritje me 35.96% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar – shkurt 2014. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 21.33%.

 

 

Sigurimi Vullnetar

 

* Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar – shkurt 2015 arritën rreth 846 milionë lekë, ose 0.14% më pak se në periudhën janar – shkurt 2014. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 4.10% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2014.

 

* Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar – shkurt 2015, patën rritje me 6.00% kundrejt periudhës janar – shkurt 2014.

 

* Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar – shkurt 2015 siguruan rreth 424 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 76.83%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 12.53% të totalit.

 

* Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – shkurt 2015, vihet re një rritje prej 0.92% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 4.07% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – shkurt 2014.

 

* Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit,  gjatë periudhës janar – shkurt 2015, arritën në rreth 165 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 50.23% në krahasim me periudhën janar – shkurt 2014.

*  Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar – shkurt 2015, arritën mbi 153 milionë lekë, ose 20.85% më pak se në periudhën janar – shkurt të vitit të kaluar.

SHKARKO APP