Formacion mbrojtës me Spanjën, debuton “katalanasi” Balliu

Ashtu siç pritej trajneri i përfaqësueses kuqezi, Kristian Panuçi ka vendosur për një formacion mbrojtës, të paktën nisur nga indicjet e dhëna në seancat stërvitore të fundit, për ndeshjen e mbrëmjes së sotme përballë Spanjës.

Duke ditur nivelin e kundërshtarit, italiani duket se do ta zbresë skuadrën në fushë me një skemë 5-3-2 dhe emri i ri që bie në sy është ai i një shqiptari katalanas, Ivan Balliut. Pritet që ish-lojtari i Barcelonës të debutojë me “kuqezinjtë” mbrëmjen e sotme në mbrojtje në krahun e djathtë, ndërkohë që përkrah tij do të jenë Agolli, Ajeti, Gjimshiti dhe Hysaj.

Sa i përket mesfushës, do të rikthehet Taulant Xhaka, por ndoshta edhe Ergys Kaçe, ndërkohë mesfushori i tretë pritet të ndahet mes Migjen Bashës dhe LedjanMemushajt. Në repartin e avancuar, Panuçi ka vendosur të aktivizojë dy sulmues Armando Sadikun dhe Eros Grezdën.

Ndeshja mes Spanjës dhe Shqipërisë do të luhet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Rico Perez” të Alicantes, ku mendohet të jenë të pranishëm rreth 200-300 tifozë shqiptarë, ndërkohë që për të garantuar mbarëvajtjen e takimit janë angazhuar 350 forca të sigurisë private.

SHKARKO APP