Forumi i Beogradit, Ekonomi: Shqipëria, klimë të mirë për investimet e huaja
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi mori pjesë në forumin “Klima e Investimeve BE-Ballkan Perëndimor” që u zhvillua në Beograd. Forumi u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Europian për Fqinjësi dhe Negociatat e zgjerimit, me qëlllim për të rritur vizibilitetin e mundësive për investime në rajon, për të treguar rastet e suksesit të investimeve dhe për të theksuar rëndësinë e axhendës qeverisëse ekonomike në strategjinë e zgjerimit. Konferenca u zhvillua dy javë pas Dialogut ekonomik financiar mes BE- Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe kreu i Komisionit Europian Johannes Han, i cili mori pjesë në forumin e parë së bashku me Ministren Ekonomi.
Në fjalën e saj, Ministrja Ekonomi foli për rritjen ekonomike të Shqipërisë, që vitin e shkuar ishte më e larta në Ballkan rreth 3.5%. Ministrja tha se këtë rritje ekonomike e kanë konfirmuar gjithë organizmat ndërkombëtare, dhe i fundit ishte vlerësimi i Moodys, që parashikonte se rritja ekonomike e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e qendrueshme dhe pozitive madje më e lartë se parashikimi i mëparshem. Sipas Moodys këtë vit pritet të jetë 3.6 % dhe vitin që vjen 3.8 %.
Raporti i Bankës Botërore ‘Doing Business’ vlerësoi klimën e të bërit biznes në Shqipëri, ku Shqipëria u rankua e 58-ta në botë duke u ngjitur 32 vende në krahasim me një vit më parë.
Ministrja Ekonomi tha se klima e mirë e biznesit në Shqipëri erdhi si rezultat i reformave strukturore dhe sidomos atyre në lidhje me investimet strategjike.
Ministrja theksoi gjithashtu se komunikimi me biznesin është shumë i rëndësishëm për qeverinë shqiptare. Brenda Ministrisë së Ekonomisë, funksionon Këshilli i Investimeve dhe Komiteti i Lehtësimit të Tregtisë, ku trajtohen gjithë shqetësimet e biznesit.
Për t’u vlerësuar është fakti se 13 rekomandime që ka bërë Këshilli i Investimeve u morën parasysh dhe u konsideruan në përmirësimin e procedurave tatimore në Shqipëri, tha Ministrja Ekonomi.
Ndërsa Komisioneri Hahn u shpreh se ky forum mbledh se bashku sektorin publik dhe privat, bizneset lokale dhe mentorët e investimeve direkte të huaja, akademi e shoqëri civile dhe përfaqësues nga Europa dhe rajoni dhe që të gjithë ndajnë një qëllim të përbashkët: të nxisim rritjen ekonomike në Ballkanin perëndimor duke eksploruar mundësitë e investimeve në rajon.
Ky forum është vetëm një muaj larg samitit të 4 vjetor të Ballkanit Perëndimor në Trieste, në të cilin në do të promovojmë edhe më shumë integrimin ekonomik rajonal, – tha Hahn. Dhe vetëm dy javë më parë Ministrat e Financave të BE dhe vendeve në zgjerim ranë dakord për rekomandime konkrete për politikat ekonomike. Mesazhi ynë për Ballkanin është i qartë: BE është e vendosur për procesin e zgjerimit dhe ne po punojmë shumë ngushtë në fushat kryesore për rritjen ekonomike- tha Hahn.
Në këtë forum merrte pjesë dhe kreu i Dhomës së tregtisë së Kosovës, Safet Gerxhaliu dhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë, Marko Cadez.