Foshnja 13-muajshe humb jetën , në një çerdhe të Tiranës

Një fëmijë që sapo kishte mbushur vitin ndërroi jetë në mënyrë të papritur pasditen e djeshme në çerdhen numër 17, që ndodhet në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, të kryeqytetit, pranë zonës së 21 dhjetorit.  Vogëlushi 13-muajsh është identifikuar me emrin S. Prendi, dhe ishte fëmija i tretë i një oficeri të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme , Ardian Prendi. Temperatura e lartë i ka marrë jetën fëmijës 13- muajshe. Pas vdekjes së foshnjës dhe hetimeve tw para, lajmi është konfirmuar nga policia e kryeqytetit . Ende nuk dihet nëse fëmija ka qenë në trajtim mjekësor nga familjarët apo edukatorët, por ka rezultuar i pastër sipas autopsisë së parë e cila nuk ka konstatuar asnjë bllokim në organet e brendshme të foshnjës. Sipas rezultatit të autopsisë, përjashtohet mundësia që fëmija të jetë mbytur, gjithashtu janë po mjekët të cilët përjashtojnë edhe helmimin si shkak të vdekjes.Prokurori e Tiranës ka nisur gjithashtu hetimet për vdekjen e foshnjës 13-muajshe. Mësohet se prokurorit të cilit i është caktuar çështja është Erjon Ymeri. Paradite,  edukatoret dëshmuan se gjatë kontrollit fëmija nuk shfaqi probleme.  Pas rënies në gjumë,  fëmija sipas edukatoreve ka qenë në gjendje të mirë. Por pasi është ushqyer  është lënë në gjumë deri në momentin kur është konstatuar se kishte ndryshim të ngjyrës së lëkurës dhe se trupi ishte i ftohtë. Pas kësaj ai është nisur drejt spitalit. Mjekët konfirmuan se fëmija mbërriti i pajetë në spital. Më tej policia kërkoi autopsinë për të zbardhur ngjarjen dhe nga rezultatet e para të autopsisë, përjashtohet helmimi dhe mbytja. Sipas autopsisë  edhe rrugët e frymëmarrjes së fëmijës kanë qenë të pastra, mushkëria  dhe deri te rrugët e jashtëqitjes po ashtu të pastra. Por  raporti i plotë i ekzaminimit mjeko-ligjor kërkon rreth 2 javë kohë që të mund të përcaktojë edhe shkakun e vdekjes së foshnjës.  Pritet të analizohen kampionët e gjakut të fëmijës, por gjithashtu do të bëhen edhe ekzaminime bakteriologjike për të kuptuar shkakun e vdekjes së foshnjës. Sakaq, është marrë edhe një kampion i ushqimit që është gjetur në stomakun e fqinjës.  Policia shoqëroi pas ngjarjes edukatoret e kopshtit, për të dëshmuar deri në zbardhjen e plotë të saj. Për familjen Prendi, fëmija që humbi dje jetën ishte i treti, por djali i vetëm dhe më i vogli. Ata edhe pse në gjendje të rëndë psikologjike pas ngjarjes janë marrë në pyetje nga policia, për të hedhur sadopak dritë mbi këtë vdekje që mbetet ende disi misterioze.  Pëllumb Seferi, drejtori i Qendrës së Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Bashkia Tiranë,  tha pas ngjarjes se sipas informacioneve të marra nga edukatoret e çerdhes, fëmija nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim shëndetësor gjatë ditës. 

SHKARKO APP