FOTO/ Arkitektura moderne, shtëpi luksoze nën tokë…
Të njohura si “shtëpi nëntoke” apo dhe si “shtëpi me impakt të vogël”, këto struktura minimizojnë shkatërrimin e hapësirës së gjelbër për ndërtimin e një objekti të banimit sepse e gjithë struktura ndërtohet nën tokë.
Dy kompani angleze NC Homes dhe Huntsmere kanë propozuar ndërtimin e një shtëpie luksoze nën tokë, që do të ishte po aq e rehatshme sa dhe shtëpitë që ndërtohen mbi tokë.
E quajtur Perdu, kjo është një shtëpi tredhomëshe në formë rrethi, me lokacion në Bowdon, në Manchester të Anglisë.
Kur ndërtohet nën tokë, çdoherë ekziston problemi i ndriçimit natyror. Për ta shmangur këtë problem, forma e shtëpisë Perdu është skicuar asisoj, që në qendër të çatisë të ketë një pasazh, atrium i cili mundëson depërtimin e dritës natyrore brenda hapësirave të banimit.
Shtëpia Perdu është ekologjike, ajo zotëron sistemin e mbledhjes së ujërave, sistemin e kombinuar të ngrohjes-ftohjes, si dhe sistemin solar për ngrohjen e ujit.
Perdu mund të krahasohet me të gjitha shtëpitë tjera. Ka kuzhinë të plotë, qëndrimin ditor, dhomat e gjumit si dhe këndin e punës. Po ashtu ajo posedon dhe pishinën e brendshme.
Megjithatë, ekziston një problem i vetëm. Për të poseduar këtë shtëpi ekologjike duhet pasur goxha para, sepse çmimi i saj është përllogaritur rreth 3.7 milionë dollarë.