FOTO/ Bashkia vijon mbjelljen e pemëve te Unaza e Madhe, shtohen edhe 100 të tjera

Pylli Orbital, që do të rrethojë gjithë Tiranën me gjelbërim, ka nisur të lërë gjurmën e tij në segmentin e Unazës së Madhe.

Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit vijojnë punën për pyllëzimin e zonës së Liqenit të Thatë, në pjesën jugore të Parkut të Madh të Liqenit Artificial, nga ku ka nisur edhe projekti i Pyllit Orbital.

Aksionit për mbjelljen e 100 rrapeve në këtë segment iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falenderoi donatorët që dhuruan pemët, duke iu përgjigjur thirrjes së bashkisë për të kontribuar në të mirë të qytetit.

“U jam shumë mirënjohës sot të gjithë kolegëve që po na ndihmojnë me mbjelljen e 100 rrapeve në gjurmën e Unazës së Madhe të Tiranës, që në fakt do të jetë edhe gjurma e Pyllit Obital që do të rrethojë qytetin.

Siç e shikoni, vetëm në bregun jugor të Liqenit, përpara dy vitesh diskutohej me sherr dhe me histeri pse po pastrohej ai vend nga ndotja dhe nga pikat e grumbullimit apo djegia e plehrave. Ja që ishte një vendim i drejtë, sot kemi fituar një mini-pyll.

Po të vazhdojmë me këtë kulturë, ka një efekt domino, një pjesë sot, një pjesë tjetër nesër, e pak nga pak po fillojmë të konturojmë Pyllin Orbital”, tha Veliaj.

SHKARKO APP