FOTO/ Magjia e ndriçimit LED, ja si po transformohet Tirana
Nëse dy vite më parë vetëm 30 për qind e kryeqytetit shqiptar arrinte që të ndriçohej, duke lënë zona të tëra në errësirë të plotë si pasojë e mungesës së vëmendjes dhe të investimeve, tashmë Bashkia e Tiranës po revolucionarizon ndriçimin përmes teknologjisë LED.
Gjithnjë e më shumë rrugët e kryeqytetit po pajisen me ndriçimin LED, i cili është tepër miqësor me ambientin dhe njëkohësisht edhe më pak i kushtueshëm.
Përmes një postimi në Facebook, kryebashkiaku Veliaj ka postuar disa nga fotot e ndriçimit të ri që po instalohet në Tiranë, i ngjashëm me atë të kryeqyteteve më të zhvilluara në Europë.
“Pak nga pak po e transformojmë ndriçimin e Tiranës në LED. Më pak harxhim energjie, jetë më e gjatë për ndriçimin, miqësor me ambientin”, thekson Veliaj.
Krahas rikualifikimit të disa blloqeve të banimit, rikonstruksionit të të gjitha çerdheve dhe kopshteve, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar rëndësi edhe elementëve të tjerë që përmirësojnë jetën urbane, por edhe që rrisin sigurinë e banorëve, siç është edhe ndriçimi i rrugëve.
Dritat LED janë përzgjedhur kryesisht për kursimin e energjisë elektrike.
Përveçse do të kursejë energji elektrike deri në 65 për qind dhe do të rinovojnë sistemin ekzistues, kjo teknologji ka kosto të lirë në mirëmbajtjen dhe rrit cilësinë e ndriçimit.
Teknologjia LED garanton qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e llambave, disa herë më tepër krahasuar me jetëgjatësinë e llambave aktuale.