FOTOT/ Bllokohen 1.4 ton vaj, prodhohej jashtë standardeve dhe pa licencë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Korçë bllokuan rreth 1.4 ton vaj ulliri dhe misri, i cili ambalazhohej në një bodrum, në kushte të papërshtatshme, ndërkohë që subjekti kishte një sërë mangësish ligjore. Inspektorët e AKU, bashkë me efektivët e Antikrimit Ekonomik, inspektuan subjektin e prodhimit të vajit në Lagjen Nr.10 të Korçës.

“Nga inspektimi rezultoi se, subjekti operonte në një ambient (garazh) me kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme për ushtrimin e një aktiviteti të tillë. Ndërkohë, produkteve të tij, vaj misri dhe vaj ulliri, iu mungonte sistemi i gjurmueshmërisë, si dhe miratimi i etiketave. Ndërkohë që subjekti në fjalë nuk kishte licencë për prodhim, ambalazhim dhe tregtim të produkteve ushqimore, por ishte i regjistruar si person fizik në QKR. Në këto kushte, inskeptorët e AKU bllokuan një sasi prej 1381 litrash vaj”, thuhet në njoftimin e AKU-së.

Nga ana tjetër, sipas AKU-së për sasitë e bllokuara u morën mostra dhe u dërguan për analizë në ISUV, ndërkohë subjekti u gjobit me 800.000 lekë dhe u bllokua në mënyrë të menjëhershme.

/SCAN

  

SHKARKO APP