FOTOT spektakolare të sheshit “Skënderbej”: 2200 pemë të mbjella dhe 70,000 lule
Sheshi “Skënderbej” është kthyer në një oaz të vërtetë, ku ndërthuret mjaft bukur gjelbërimi, freskia e shatërvanëve të panumërt si dhe gurët të cilët janë punuar me mjeshtëri.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka preferuar që t’u përgjigjet me fakte kritikëve të sheshit se nuk ka gjelbërim. Përmes një postimi në Facebook, Veliaj bën të ditur se nga 220 pemë që ka pasur ky shesh deri para një viti, numri i tyre është dhjetëfishuar, ndërsa janë mbjellë edhe mjaft bimë të tjera dekorative, duke e transformuar në një nga më të mëdhenjtë dhe të bukurit në Ballkanit. “A ka gjelbërim në sheshin Skënderbej? Përpara një viti kishte 220 pemë sot ka 2,220 pemë, 4,500 shkurre dhe 70,000 lule. Eja numëroi vetë të Shtunën ora 19:30”, shkruan Veliaj teksa e ka shoqëruar postimin e tij edhe me foto nga hapësirat e gjelbra të këtij sheshi si dhe nga provat e fundit që po bëhen me shatërvanët. Ky shesh është në fakt një risi për vendin tonë edhe në këndvështrimin ekologjik, duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Për të bërë të mundur këtë poshtë sheshit janë ndërtuar rreth 2100 m3 rezervuare për ujin.