FOTOT / Tirana tradicionale & moderne në Bruksel, ftohet të jetë pjesë e një prej panaireve më të mëdha në Europë

 Për pesë javë rresht, Tirana do të prezantohet me pavionin e saj në Panairin e Brukselit, një nga më të mëdhenjtë në Europë dhe që vizitohet çdo vit nga më shumë se 2.000.000 vizitorë nga e gjithë bota.

 Lajmin e mirë e ka dhënë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj përmes një postimi në twitter, i cili shprehet besimplotë se numri i turistëve që do të vizitojnë Tiranën do të jetë edhe më i madh në vijim.  “Jemi gati! Tirana tradicionale & moderne do të përfaqësohet në Panairin e Brukselit këtë fundvit. Kemi boom turistik, por më shumë duhet”, shkruan Veliaj.

 Me ftesë të Bashkisë së Brukselit, Bashkia e Tiranës do të jetë pjesë në një nga panairet më të mëdha të dimrit, i quajtur “Winter Wonder ” , që do të mbahet në datat 24 nëntor deri më 31 dhjetor, ku falë vizitorëve të shumtë si edhe reklamimit që i bëhet eventit në mediat ndërkombëtare, është një mundësi e mirë për promovimin kulturor, historik, social , ekonomik dhe turistik. Në këtë aktivitet Shqipëria do të përfaqësohet me një seri aktivitetesh si Konferenca Ndërkombëtare “Tirane – Bruksel , rrugëtimi historik i shqiptarëve”;  takimeve dypalëshe midis përfaqësuesve të biznesit shqiptar dhe atyre europianë; vendosje të marrëdhënieve bashkëpunuese midis operatorëve turistikë shqiptarë dhe europianë si dhe një seri eventesh dhe programesh artistike-kulturore si dhe do të ketë hapësirën e saj në qendër të Brukselit për të promovuar produktet tradicionale shqiptare si; produkte artizanale , produkte tipike të kuzhinës shqiptare dhe produkte të ndryshme turistike etj.

 Gjithnjë e më shumë vëmendja e pushuesve nga e gjithë bota është tërhequr me kuriozitet drejt destinacionit më të ri turistik, Tiranës. Me një kombinim magjik të tradicionales dhe të modernes, kryeqyteti shqiptar ka potencialin për t’u shndërruar në një prej vendeve më të kërkuara nga turistët duke ofruar një larmishmëri vendesh tërheqëse dhe infrastrukturë më të mirë.

Përveçse është epiqendra e artit, kulturës, ekonomisë, financës, arsimit dhe universiteteve, Tirana është pa dyshim edhe destinacioni primar turistik, përpara se turistët të shkojnë e të eksplorojnë pjesë të tjera të Shqipërisë.

 Sheshi “Nënë Tereza”, Memoriali “PostBllok”, Piramida, Instalacioni “Reja”, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, Parku Kombëtar i Dajtit, Kalaja e Petrelës etj janë vetëm disa nga atraksionet që mund të gjejnë në kryeqytet turistët, ndërkohë që jeta e natës gjallëron në kryeqytetin shqiptar.

 Për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash që synojnë rikonstruksionin e godinave që përmbajnë vlera historike apo rivitalizimin e hapësirave që ishin lënë në harresë dhe në degradim nga vitet, të cilat tashmë ofrojnë mundësi të panumërta për aktivitete në çdo orë të ditës.

SHKARKO APP