Frenohen çmimet – Rritje më e ulët edhe për indeksin e harmonizuar

Rritja e çmimeve të konsumit po frenohet edhe sipas indeksit të harmonizuar me vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për muajin gusht ky indeks zbriti në 2.5%, në rënie të mëtejshme nga niveli 3% i korrikut.

Rritja e indeksit ka arritur vlerën më të ulët që nga janari, kur Instat nisi ta llogarisë për herë të parë. Sidoqoftë, rritja ngelet ndjeshëm më e lartë ne niveli mesatar prej 1.7% i vendeve të Bashkimit Europian.

Gjithashtu, ky tregues është më i lartë në raport me indeksin e brendshëm të çmimeve të konsumit, i cili paraqet dhe normën zyrtare të inflacionit.

Megjithatë, të dy treguesit në muajt e fundit kanë një tendencë të ngjashme në rënie. Për gushtin, inflacioni zbriti në 1.6%, niveli më i ulët i regjistruar për vitin 2017.

Burimi: INSTAT

Kontributin dërrmues në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit në Shqipëri edhe për gushtin e dha grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, me 2.34 pikë përqindjeje, nga 2.5% që ishte rritja totale.

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndryshe nga indeksi i çmimeve të konsumit, që mbulon vetëm shpenzimet private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.

SHKARKO APP