Frika e mosmarrjes së mandatit, Rama shkrin PSD-në në Vlorë. Kandidati i PSD-së tërhiqet nga gara
I renditur i pesti në listën kandidatëve për deputetë në Vlorë, kryesocialisti Edi Rama duket se ka filluar ta ndjejë presionin që i vjen jo vetëm nga kundërshtarët e opozitës, por edhe të ish-aleatëve të tij në qeverisje, LSI-së dhe PDIU-së, dy forca që pretendojnë të kenë deputetët e tyre nga ky qark në Kuvendin e ri të pas 25 qershorit, dhe që nuk negociojnë me tërheqje nga gara.
Për këtë arsye Rama ka nisur të “shkrijë” aleatët e tij të dikurshëm si Partia Social-Demokrate e Skënder Gjinushit, kandidati i së cilit konfirmon tërheqjen nga gara vetëm 5 ditë para zgjedhjeve. Bëhet fjalë për kandidatin për deputet të PSD-së në Vlorë, Leonard Beqiraj i cili ka vendosur sot të tërhiqet nga gara pas disa negociatave me Damian Gjiknurin, që është dhe koordinator i fushatë së PS-së në Vlorë
“Për mua janë të rëndësishme reformat, vettingu dhe rruga e nisur e ps”- është shprehur Leonard Beqiraj në deklaratën e tij për mediat ku bëri me dije dhe tërheqjen nga gara.