Frustrimi i Nikoliç përballë një gruaje
Skënder Minxhozi/
Për Tomislav Nikoliçin, Atifete Jahjaga nuk është presidente e Kosovës. Të paktën kështu thotë shtypi serb, duke cituar një këshilltar të Nikoliçit. Të dyja burime që duhen verifikuar rregullisht, sidomos në një rast si ky. Gjithsesi, edhe po ta marrim të mirëqenë versionin e Mrkiçit të cituar nga gazetat serbe, nuk rezulton se kryetari i shtetit serb ka arritur ndonjë fitore kushedi çfarë, përballë homologes kosovare.
Nikoliç paska bërë mashkullin e fortë ballkanik dhe politikanin e zemëruar, përballë një përfaqësueseje të lartë të një shteti fqinj. E çfarë pastaj? Cili është impakti i kësaj sjelljeje, e cila mund ta kompensojë paksa frustrimin serb për çeshtjen kosovare, por vetëm kaq?! Qeverisja e sotme serbe karakterizohet nga disa rryma, kur është fjala për Kosovën dhe qëndrimin zyrtar ndaj saj. Megjithëse të gjithë, përfshirë Vuçiç dhe politikanë të tjerë europianistë, vijojnë të ngulin këmbë se nuk do ta njohin Kosovën, krahu liberal i politikës serbe është dukshëm më i lëkundur dhe elastik, teksa vjen fjala për ta njohur ish-krahinën autonome si shtet sovran. I pyetur pak ditë më parë, kryeministri serb tha se askush s’ja ishte kërkuar të njohë Kosovën. Një frazë lakonike, për të anashkaluar një çeshtje të sikletshme për Serbinë e sotme. Ndërkohë Nikoliç e Daçiç vijojnë të mbajnë pozicione të forta ndaj Kosovës, duke i shoqëruar ato me një linjë të ashpër, e cila e përjashton njohjen e Kosovës në çdo rrethanë.
Megjithatë ky është një proces që as Tomisllav Nikoliç dhe as ministri i tij i jashtëm nuk mund ta ndalin. Ngrefosja e presidentit serb para Atifete Jahjagës është një shenjë dobësie e një politikani që e di fare mirë se e ka humbur garën me historinë. Por edhe nëse Nikoliç e Jahjaga nuk do të ishin ata që janë sot, pra kryetarë shtetesh, edhe nëse atë përballje e marrim si një bisedë banale njerëzish të zakonshëm, sërish Nikoliç na shfaqet si një burrë i frustruar që kërkon një revansh qesharak mbi një grua.
javanews.al