Fshatrat shqiptarë që mahnitën turistët gjermanë (Foto)

Si po zhvillohet turizmi në fshatrat e Luginës së Nikaj-Mërturit, vendi midis dy lumenjve që nuk shterojnë kurrë. Bjeshkët e Salcës, Shtërziqja e Brisës, Logu i Gurrës, Okoli i Palçit, Listrami i Btoshës, T’herme, Rruku i Nikajve e të tjera vende, janë kthyer në destinacion shumë i pëlqyer për turistët gjermanë.

Janë tri fshatra në krahinën e Nikaj-Mërturit, Salcë, Palç dhe Btoshë, ndër shumë të tjera të kësaj krahine që dita-ditës po kthehen në vende të prefereuara për turistë vendas e të huaj.

Krahina e Nikaj-Mërturit, ka një numër shumë të madh pikash turistike, ndër të cilat e më kryesorja është ajo e Currajve të Epërm.

Lugina e Nikaj-Mërturit përshkohet nga dy lumenj që nuk shterojnë asnjë herë. Këta lumenj janë: Lumi i Nikajve dhe lumi i Mërturit.

Lumi i Nikajve e ka burimin e tij nga lugina e Ndërmanjës (Lumi i Zi) ose Bjeshkët e Gjonpepajve e të Kapitit dhe kalon midis shpatit të Currajve e fshatrave Kapit, Gjonpepaj e Lekbibaj dhe në vazhdim bashkohet me lumin e Mërturit në Jugperëndim të fshatit Curraj i Poshtëm.

Lumi i Mërturit e ka burimin e tij në Curraj të Epërm, ndjek rrjedhjen e tij midis Malit të Theposur, afër lagjes Mulaj, ndanë Shën Gjergjin nga Curraj i Poshtëm dhe poshtë këtij fshati bashkohet me lumin e Nikajve dhe të dy së bashku vazhdojnë rrjedhjen e tyre midis fshatit Raje e Tetaj dhe derdhen në lumin Drin.

Infrastruktura rrugore e ka penguar e vazhdon ta pengojë zhvillimin e turizmit në këto vende. Vështirësitë në infrastrukturë nuk e kanë penguar një grup turistësh e gazetarësh gjermanë, për të shkuar deri në fshatin Brisë, njëri prej vendeve me terrenin më të thyer në luginën e Nikaj-Mërturit.

Bashkë me mikpritjen karakteristike për zonën e Nikaj-Mërturit, turistët gjermanë janë magjepsur me trashëgiminë kulturore që ka kjo zonë. Janë kullat, të parat me të cilat mahniten turistët.

Kulla e Thepit (Ngujimit), në fshatin e bukur të Curraj Epër; Kulla në Sukullar, në Qeresh; Kulla e Ukshin Brahimit, në Mulaj; Kulla mbi 300 vjeçare e Kurtesh Kurtit, në fshatin Lekbibaj; Kulla e Deli Tahirit, në Salcë; Kulla e Qëndresës, në Brisë.

Kulla e Deli Tahirit, është bash në mes të rrugës, nga fshati Salcë drejt Brisës. Është një kullë që mban shumë histori, traditë e mikpritjeje, kuvendesh e mbledhjesh, luftrash me trima e trimëresha.

“Trim si Deli Tahiri”, thuhej dikur në Malësinë e Veriut. Pjesëmarrës në disa luftra ndaj turkut e serbo-malazezëve, njëri nga organizatorët dhe drejtuesit kryesor në luftën e 1910 kundër forcave të Dërgut Pashës.

SHKARKO APP