Furnizimi me ujë, qytetarët i bashkohen apelit të Bashkisë së Tiranës për mirëmenaxhimin e situatës
Krahas angazhimit maksimal të agjencive nën varësinë e Bashkisë së Tiranës dhe thirrjes drejtuar qytetarëve që të përdorin me kujdes ujin e pijshëm, edhe banorët e kryeqytetit kanë filluar që të vetorganizohen për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë të vështirë që po kalon e gjithë Europa.
Në shumë prej pallateve të Tiranës, administratorët e tyre kanë vendosur njoftime informuese, ku i kërkojnë qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me shfrytëzimin e ujit të pijshëm.
“Siç jeni në dijeni nga fakti dhe media vizive dhe e shkruar Qytetit të Tiranës dhe sidomos zona ku ne banojmë po përballet me një mungesë të madhe të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët. Nga ana e administratorit janë marrë të gjitha iniciativat e mundshme për të krijuar mundësinë e furnizimit të depozitave me ujë, nëpërmjet boteve të bashkisë. Duke qene se, sasia e furnizimit me ujë nga ana e bashkisë është shumë e vogël, atëherë është shumë e nevojshme menaxhimi i ujit. Për këtë arsye pompat që furnizojnë me ujë apartamentet e shkallës do vihen në punë çdo ditë nga: ora 18-00 deri 20-30. Rastet kur administratori i pallatit pas kontrollit të depozitave vëren gjendje uji, atëherë krijon edhe një orar të dytë për furnizimin në mëngjes”, thuhet në njoftimin e vendosur nga administratori në një prej pallateve të njësinë Nr. 5 në Tiranë.
Administratori u kërkon banorëve që për çdo problem me furnizimin me ujë të pijshëm, të kontaktojnë në numrat e vendosur në dispozicion nga Bashkia e Tiranës 0800-0888 ose të UKT me numër 0800 44 88. “Kini parasysh që të gjithë banorët mund të kenë nevoja dhe kërkesa të ndryshme, por është e pamundur të plotësohen dhe kjo është për faj të sasisë së ulët të ujit që pallati furnizohet. Jeni të lutur që pavarësisht kërkesave ditore që administratori drejton drejt bashkisë së Tiranës edhe ju mund t’i drejtoheni Bashkisë në numrin e telefonit 0800-0888 pa pagesë ose UKT — me numër 0800 44 88. Faleminderit për mirëkuptimin dhe të urojmë që kjo situatë e rëndë dhe e pazakontë të përfundojë 1 orë e më parë për të gjithë ne”, theksohet në njoftimin e vendosur për banorët e pallateve.