Fushata e Ramës rreth shkopit të Shqupit
Lajme E Hënë, 19 Prill 2021 08:23
Edi Rama nuk po arrin dot ta fshehë nervozizmin e shkaktuar nga fushata e kundërshtarit të tij dhe, prej më shumë se një jave tashmë, po merret vetëm me sqarimin dhe komentimin e deklaratave të Lulzim Bashës. Në vend që si kryeministër dhe lider i një mazhorance të fortë të ishte një hap para opozitës, Rama ka ngecur në vend dhe po vërtitet rreth “shkopit të Shqupit”, siç i pëlqen ta stigmatizojë ai kundërshtarin.
Po përse ka hyrë kryeministri në kurthin e komentit të kundërshtarit dhe jo në prezantimin e premtimeve dhe angazhimeve elektorale për secilën njësi bashkiake të vendit? Transformimi i fushatës lokale në një manifestim antiqeveritar në nivel kombëtar nga ana e opozitës, duket se është në thelb të çekuilibrimit elektoral dhe nervozizmit personal të Edi Ramës. Duke u përballur me mosrealizimet dhe dështimet e premtimeve të mëdha të dy vjetëve më parë (të cilat opozita ia përsërit në çdo tubim) kryeministri e ka të vështirë të flasë për premtime të reja, për vende pune, shërbim shëndetësor cilësor, rrugë të reja etj., etj. Nëse opozita do të mbetej thjesht në një fushatë elektorale lokale, kjo do t’i krijonte mazhorancës komoditetin e mosballafaqimit me dështimet e saj. Do ta shndërronte sfidën në një garë teknike dhe jo në një betejë politike, në të cilën qeveria hyn me një bilanc negativ mbi shpinë. Afishimi i këtij bilanci i ka krijuar ngërçin e madh kryeministrit, i cili nuk mund të shkojë në fushatë si një kryetar partie që nis një garë të re, por si kryetar qeverie që duhet të përgjigjet edhe për gjysmën e mandatit të tij, që rëndon njëlloj për qytetarët nga veriu në jug.
Edi Rama nuk e do këtë ballafaqim. Nuk e do sepse nuk ka përgjigje për rënien ekonomike, për rritjen e borxhit publik, për shtrenjtimin e kostos së jetesës, për dështimin e doganave dhe tatimeve, për shëndetësinë që jo vetëm nuk u bë falas, por i shkretoi xhepat e qytetarëve me megaskandalin e rimbursimit të ilaçeve. Rama nuk ka përgjigje as për skandalet e zyrtarëve të tij, që marrin para për një vend pune, njësoj si ata për të cilët dikur thoshte se po vjedhin Shqipërinë për të vjedhur votat. Në të gjithë vendin jetohet me këtë realitet dhe Rama po kërkon ta përdorë “shkopin e Shqupit” si shkop magjik për ta fshehur Shqipërinë e dy viteve të tij.
Rama dhe të tjerë pranë tij thonë se opozita e ka humbur efikasitetin e fushatës, se ajo po humbet pikë duke mos u përqendruar në bashki konkrete, se po ia fut kot kur flet për ulje taksash në një garë lokale etj., etj. Nëse kjo fushatë e opozitës nuk do të ishte efikase, përse do të duhej të shqetësohej kreu i mazhorancës për këtë? Nëse PD e ka humbur rrugën, përse Rama kërkon të bëjë kallauzin dhe nuk është i qetë? Pikërisht sepse fushata që ka zgjedhur të bëjë Basha po ia heq mundësinë kryeministrit të tregojë edhe një herë përrallat e 23 qershorit 2013. Dhe po e vendos atë në pozitën e njeriut që duhet të mbajë përgjegjësi përpara zgjedhësve për ato që thotë dhe për ato që ka bërë.
E për sa kohë Rama nuk ka shumë çfarë t’u thotë njerëzve kur i sheh sërish në sy pas dy viteve, e ka kthyer fushatën e tij në një justifikim të madh për veten dhe në një sulm pa lidhje për kundërshtarin. “Ne nuk kemi mundur të bëjmë shumë gjëra, por ama i ndjejmë deri në fund shqetësimet tuaja”, është pak a shumë motivi justifikues i Ramës që përfundon në gropën që i ka lënë trashëgim Saliu. Rama nuk mund të bëjë më premtime, prandaj i duhen justifikime dhe, kur edhe këto nuk mjaftojnë, thërret në ndihmë shkopin e Shqupit, fton të shkojnë me të gratë demokrate, kërcënon se do bllokojë bashkitë ku mund të fitojnë kandidatët e opozitës, por në fund nuk e fsheh dot hallin që e mundon: nuk ka bilanc për t’u dalë përpara i qetë zgjedhësve. Prandaj bërtet duke thënë mos dëgjoni Bashën se nuk i ul taksat kryetari i bashkisë, se nuk iu shpëton dot nga çmimi i energjisë, se nuk rrit dot ekonominë e shton punësimin, se këto janë zgjedhje lokale dhe jo parlamentare… Edi Rama nuk nervozohet se qytetarët mund të besojnë premtimet e Bashës, por se ato u kujtojnë atyre premtimet që ai vetë nuk i mbajti dot. Dhe kjo e ka detyruar që në të gjithë fushatën e tij të vërtitet rreth “shkopit të Shqupit”, të mos prodhojë asgjë të re dhe të merret herë si fle e herë si flet Lulzim Basha. Kjo fushatë nga belaja, mund ta shpëtojë vetëm në kokën e tij nga bilanci me zgjedhësit. Shqipëria përtej Shqupit dhe matanë Surrelit është aty.