Fushata ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit

Nga Entela Binjaku*/1 tetori shënoi çeljen e fushatës ndërgjegjësuese të luftës kundër kancerit të gjirit. Në këtë muaj operatorët e shumtë nga fushat e shëndetit, bëhen pjesë e veprimtarive, që kanë në qendër rritjen e ndërgjegjes së shoqërisë për kontrollin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje.  Një aktivitet i tillë u mbajt në mjediset e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, ku (instituti  jofitimprurës) “We speak science – ne flasim me shkencë” e themeluar në Boston, USA, nga motrat Detina (Harvard University) dhe Argita Zalli (Imperial College London) në bashkëpunim me studentë të këtij fakulteti, bashkëbiseduan me pjesëmarrësit, rreth disa aspekteve të kësaj sëmundjeje. Në këtë konferencë dr. Argita Zalli që punon në “Imperial College of London”, i informoi të pranishmit për trajtimin e kancerit të gjirit dhe  gjetjet e fundit nga fusha e kërkimit shkencor.  Për një përfshirje aktive dhe të studentëve të këtij fakulteti pesë prej tyre mbajtën kumtesa, ku secili shpalosi aftësitë në drejtim të të folurit në publik, trajtimit me përgjegjësi të pyetjeve nga të pranishmit dhe vlerësimin nevojës për njohjen e thelluar të natyrës dhe tw pasojave që krijon kjo sëmundje.  Për një të ri apo të re, që do të diplomohet, këto njohuri shkencore janë me rëndësi në formimin profesional, madje shkëmbimi i këtyre përvojave gjatë viteve te studimeve universitare, marrin një vlerë të rëndësisë së lartë. Përvoja e motrave Zalli, dy profesioniste që konkurrojnë me dinjitet në tregun ndërkombëtar të punës, ishin të vlefshme edhe të nevojshme, për zgjerimin e njohurive profesionale dhe shkencore në luftën kundër kancerit te gjirit. Prof.Dr. Lufti Alia dha një panoramë më të gjerë të kësaj sëmundje. Sipas tij, “Lufta kundër neoplazive, aktualisht është prioritare në shërbimet shëndetësore, pasi këto sëmundje përbejnë një problem shqetësues mjekësor dhe shoqëror. Neoplazite e gjirit edhe në këtë fillim shekulli vazhdojnë të mbeten një ndër pesë “big killers” në përgjithësi në popullatë, por siç kuptohet në veçanti janë në vendin e pare për rastisjen dhe si shkak vdekjeje tek femrat.  Ne dy dekadat e fundit, neoplazite e gjirit janë shtuar si rastisja, madje janë bërë shqetësuese sepse konstatohet shtimi i rasteve ne moshat e reja 25 – 45 vjeç, një grup popullate që deri tani ishte përjashtuar në programet e “screening” të shërbimeve shëndetësore të vendeve europiane.

Në Evropë diagnostikohen 210 000 raste të reja në vit dhe 74 000 raste vdekje nga kanceri i gjirit. Në Itali, çdo vit diagnostikohen 45 000 raste te reja në vit. Ndërgjegjësimi dhe parandalimi janë dy fjalët kyçe të cilat lidhen ngushtë më faktorët rrezikues. Ndër faktorët rrezikues janë mosha, pasi me rritjen e moshës rritet rreziku i shfaqjes të tumoreve te gjirit. Tjetër është ndikimi i hormoneve. Aspekti i familjaritetit më këtë sëmundje: karcinomate gjirit janë te shpesh në gra që kanë pasur pjesëtar të familjes me kancer të gjirit ose të vezoreve (gjyshe, nena, motra, halla, tezja).

Ndërkohë në vendin tonë sipas “Institutit të  Shëndetit Publik” rastisen 450-500 raste të reja me neoplazi te gjirit çdo vit, dhe zë vendin e parë ndër shkaqet e vdekjeve nga kanceri ne femrat. Shumica e rasteve me kancer të gjirit tek ne, paraqiten me vonesë tek mjeku, në faza shumë të përparuara  gjë e cila e vështirëson mjaft procesin e shërimit. Po sipas  “Institutit  të Shëndetit Publik”: çdo vit, në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) janë diagnostikuar rreth 350 raste të reja me kancer gjiri me një prirje të lehtë rritjeje, me një kulm prej 443 rastesh në vitin 2013.  Krahasuar me vitet’80, ne vitin 2015, numri i vdekjeve në vit nga kanceri i gjirit është rritur më shumë se 3 herë.

Kanceri i gjirit nuk është më “sëmundja që nuk më prekë mua apo familjarët e mijë”, përkundrazi është një ndër patologjitë, që prek një numër të madh grash. Edhe pse në opinion ka një lloj frike nga vetë emërtimi, përvoja e profesionistëve ka treguar se parandalimi është i mundur falë ndërgjegjësimit për kontroll periodik dhe diagnostikim sa më të hershëm, duke e bërë më të lehtë procesin e kurimit. Shëndeti ndërthur në një nevojën për  shërbime cilësore nga fusha të ndryshme, është i lidhur ngushtë me mjedisin përreth nesh si atë lokal, të shtetit ku jetojmë  po ashtu edhe me atë global. Disa forma të shkatërrimit të mjedisit rrisin rrezikun për shëndetin. Ndaj edhe mbrojtja e mjedisit bën pjesë në programet e mjekësisë parandaluese. Sipas studiuesve “puna në mjediset ku përdoret asbesti rrit rrezikun e prekjes prej disa llojeve të kancerit”, po ashtu “ndotja e ajrit në nivelet larg standardes së lejuar rrit mundësitë për kancer të mushkërive që përbën edhe llojin më të përhapur të kësaj sëmundjeje”.

Për aq kohë sa shpërndarja e sëmundjeve është e ndryshme midis vendeve, rajoneve dhe shtresave të ndryshme shoqërore është e qartë se ajo ndikohet nga mënyra e të jetuarit, gjë nga e cila i jep udhë ndikimit të faktorëve shoqërorë. Faktorët shoqërorë  ndikojnë tek  mundësitë  e  njerëzve  për t’u prekur nga disa lloje sëmundjesh si dhe në natyrën e kujdesit shëndetësor që marrin. Në vendin tonë faktorët e tillë mund të shpjegojnë pse gratë në vendin tonë vdesin më së shumti prej kancerit të gjirit dhe faktorë të tillë flasin për cilësinë që lë për të dëshiruar të shërbimit që marrin këto gra.

Pikërisht për këtë arsye kanceri i gjirit si dhe mjaft sëmundje të tjera,  kanë nevojë për një trajtim të kombinuar të profesionistëve nga disa fusha të cilët  duke i ardhur në ndihmë një gruaje që preket prej tij, i kanë ardhur në ndihmë mbarë shoqërisë.

*Drejtore e Fondacionit “Harriet Martineau”

SHKARKO APP