Fushatë për budallenjtë

 

Nga Mero Baze

Lulzim Basha ka përzgjedhur disa zona të thella të Shqipërisë, kryesisht veriun e vendit për t’i trajtuar votuesit si budallenj. U bën disa ditë që ai shkon në zona të thella të Shqipërisë dhe përsërit tri premtime: E para që do falë pagesën e dritave, e dyta që do ul taksat dhe e treta që do rrisë rrogat. Ajo që bie në sy, është se Basha nuk i përsërit këto premtime në zona më të ndriçuara, në qytete të mëdha apo Tiranë. Ai gjen vende, të cilat sipas tij njerëzit janë budallenjë dhe nuk kuptojnë që ato çfarë ai thotë nuk janë kompetenca të atyre që do bëhen kryetar bashkish, por kompetenca të një kryeministri. Të ulësh taksat, të ulësh apo falësh pagesën e dritave apo të rritësh rrogat, duhet të jesh minimumi kryeministër dhe të kesh një shumicë soldie nga pas që t’i mbështetë këto marrëzi.

Lulzim Basha e di këtë. E di po ashtu që këto teza nuk ngjisin në Tiranë, Durrës, Vlorë apo Korçë. Por përpiqet të flasë jo për atë që ai ka në plan të bëj, por për atë që mendon se njerëzit janë mërzitur nga qeveria. Dhe këtu problemet nuk i ka identifikuar keq. Qeveria vërtetë na ka marrë shpirtin duke na kërkuar parat e dritave, duke mos rritur rrogat e nëpunësve dhe duke rritur taksat. Këto janë reforma që qeveria i ka bërë hapur dhe janë thuajse bilanci i saj i vetëm i këtyre dy viteve në qeveri.

Për të zhbërë këto reforma duhen zgjedhje parlamentare dhe Basha duhet të jetë kandidat për kryeministër. Si i tillë, ai ka të drejtë të premtojë dhe broçkulla të tilla. Por në këtë fushatë elektorale, ai mund të premtojë vetëm që kandidati nuk është kriminel, ose është si puna e Xhelalit dhe se po fitoi duhet të paguajë një taks tek partia për ta ndihmuar, se janë në opozitë. Për të tjerat nuk ka çfarë premton, se gjithë suksesi i një bashkie të madhe, tani varet nga raportet që do krijojë me qeverinë dhe hapësirën e vetëadministrimit që do krijojë nga kuadri i ri ligjor. Basha mund të premtojë mbështetje për decentralizim, përfshirje në tryezë me qeverinë për ligjet e reja që do rregullojnë pushtetin lokal, mënyrën si mund të shtrihet deri në fshatin më të largët mbledhja e taksave etj.

Premtimet e tij anarkiste dhe fyese për një qytetar me nivel minimal arsimimi, tregojnë jo vetëm për krizën e ideve të tij si lider i opozitës, por dhe një lloj cinizmi me pjesët e prapambetura të vendit.

Është e vërtetë se ai ndihet pak keq në këtë fushatë për disa arsye.

Së pari, ndihet keq si lider i opozitës që i premtoi mbështetësve të vet se nuk do ta njihte kurrë këtë hartë elektorale dhe ndarje administrative dhe se do ta griste para shqiptarëve. Pas këtij betimi hyri me bisht në shalë në zgjedhje, në vend që të bashkëpunonte me qeverinë për ndarjen territoriale dhe të shmangte dhe ndonjë padrejtësi që mund t’i jetë bërë opozitës.

Së dyti, ai nuk udhëheq dot me shembullin personal si kryebashkiak, pasi ka dështuar totalisht në Tiranë, në atë pikë, sa i ka dhënë leje dhe Doktor Halimit ta sulmojë si i paaftë. Dhe përfytyro kur kemi një lider opozite që e sulmon si kryebashkiak i paaftë Halim kosova, si mund të kemi të njëjtin njeri kandidat për kryeministër?

Së treti, Basha ka një problem dhe me pasojat që mund të kenë mbi karrierën e tij politike rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Një humbje e thellë e tij mund t’ia ndërpresë në mes ëndrrën për të qenë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme dhe me sa duket po nxiton t’i thotë që tani ato që mund t’i thotë pas dy vitesh.

Por e gjithë kjo nuk e bën dot atë një udhëheqës në këtë fushatë. Ai më shumë po duket si njeri që po i fshihet fushatës lokale dhe po përpiqet të mbështesë gjithë betejën tek lufta politike kundër qeverisë, aq sa duket sikur më 21 Qershor nuk do dalë ky nga zyra e Bashkisë, por Edi Rama nga zyra e kryeministrisë. Nuk e bën këtë se është budalla, por se shumicën e votuesve të vet i merr për budallenjë. Kërkon të mos e shohim si një kryebashkiak që ka dështuar, por si dikë që ka një vizion që ia pengon dikush. Vazhdon të bëj fushatë për budallenjë. S’di pse i është mbushur mendja, që ata i bind.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP