Gabimet e Rusisë dhe keqkuptimet e Perëndimit

Nga Ivan Krastev*

Pasi dëgjoi lajmin e shpërthimit të revolucionit të vitit 1848 në Paris, Nikolla I thuhet se ka rendur në Pallat për të ndërprerë festimet, dhe për të dhënë komandën kundër-revolucionare: “Merrni kuajt! Drejt Parisit!” Kremlini i Vladimir Putini është në një gjendje të ngjashme humori. Kur protestuesit në shtetin e vogël dhe të parëndësishëm strategjikisht të Ballkanit, Maqedoni, të zemëruar për zbulimet mbi korrupsionin dhe abuzimit me pushtetin, muajin e kaluar rrethuan një ndërtesë qeveritare dhe kërkuan dorëheqjen e qeverisë, ministri rus i punëve të Jashtme, nxitoi të denoncojë këtë revolucion në krijim e sipër të Shkupit. Përse? Një të dhënë e ofron shfaqja e Sergei Lavrovit përpara Ansamblesë së Përgjithshme të OKB këtë vit, kur ministri i jashtëm rus kërkoi të bëhet një “deklaratë për papranueshmërinë e futjes së hundëve në punët e brendshme të shteteve sovranë, dhe mosnjohjen e grushtit të shtetit si një mënyrë për ndryshimin e qeverive”.

Moska, dikur qendra luftarake e revolucionit komunist botëror, është shndërruar në mbrojtësin kryesor të qeverive në detyrë, kundër qytetarëve të shqetësuar.

Politikanët perëndimorë imagjinojnë që ankthi i Kremlinit nga revolucionet me ngjyrë është retorik, jo i vërtetë. Por Putini dhe kolegët e tij e besojnë atë që thonë: se protestat në rrugë janë të organizuara dhe inskenuara prej armiqve më të mëdhenj të Rusisë. Lavrovi tha: “Eshtë e vështirë t’i rezistosh përshtypjes, se objektivi i shumë “revolucioneve me ngjyrë” dhe përpjekjeve të tjera për të rrëzuar regjime të papërshtatshëm, është që të provokohet kaos dhe paqëndrueshmëri”.

Në vend që t’i hyjë një faze të re ekspansioni moskovit, Rusia e Putinit po pozicionohet si rojtar i sovranitetit kombëtar. Kremlini beson se po vepron jo agresivisht, por në mbrojtje, duke udhëhequr një fushatë për të vendosur një gardh, për të frenuar globalizimin e dominuar prej amerikanëve.

Ai i quan konfliktet botërorë si beteja mes sovranitetit dhe ndërhyrjes nga jashtë, ku perëndimi preferon t’i shohë si përplasje mes demokracisë dhe autoritarizmit. Revolucioni Portokalli i Ukrainës në vitet 2004-2005 traumatizoi thellë elitën e Rusisë, duke rritur ndjesinë e saj të pasigurisë dhe duke e shtyrë partinë në pushtet që të interpretojë ngjarjet botërore përmes frikës së saj nga revolucionet me ngjyrë, të “telekomanduar nga jashtë”.

Pranvera arabe, dhe sidomos shpejtësia me të cilën Presidenti Barack Obama hodhi poshtë Hosni Mubarakun, presidentin egjiptian që kish qenë një aleat i vendosur i SHBA që kur mori pushtetin në vitin 1981, forcoi bindjen e Kremlinit se SHBA është një agjent global i përmbysjeve dhe kaosit. Dhe ai forcoi lidhjen e Rusisë jo vetëm me aleatët e saj në Azinë Qendrore, por edhe, më e rëndësishmja, me Kinën.

Paradoksalisht, lufta globale e Kremlinit ndaj revolucionit – dhe jo realpolitika e Moskës – është pengesa më e madhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit. Uashingtoni dhe Brukseli po fajësohen në një mënyrë të tillë, sa ata duken të pamundur të kuptojnë ngjarjet që nuk munden t’i kontrollojnë. Valë protestash popullore, shpesh herë pa udhëheqje dhe të padrejtuara nga partitë politike apo sindikatat, janë mes tipareve të kohës sonë. Ato shpërthejnë në demokraci dhe autokraci, praktikisht kudo. Ndonëse këto protesta reflektojnë zhgënjimin global me elitat sunduese, impakti politik i tyre është i vështirë të vlerësohet.

Ashtu si njerëzit paranojakë kanë armiq realë, protestat spontane në rrugë ndonjëherë mund të kapen prej interesave të veçanta. Fuqitë e huaja “i hipin trenit”, në përpjekje për të shfrytëzuar protestat e vendasve, për agjenda politike krejt të palidhura me këto interesa. Të besosh se i gjithë ky aktivitet protestash është i frymëzuar dhe koordinuar nga jashtë është vetëmashtrim. Por nuk është aspak i dëmshëm. Rusia po përpiqet të shpërbëjë atë që Perëndimi e sheh si rendi institucional global, jo sepse ajo po kthehet në “imperializmin” sovjetik, por sepse ka përqafuar kauzën e kundër-revolucionit, në një botë ku Uashingtoni shihet si fuqia kryesore revolucionare. Kjo është një formulë për konflikt të pafundëm.

Ajo që kërkon Rusia është diçka që asnjë qeveri demokratike nuk mund ta premtojë, pra që protestat nuk do të shpërthejnë asnjëherë në rrugët e Moskës, apo në ato të Pekinit dhe që, nëse shpërthejnë, qeveritë dhe mediat perëndimore do t’i dënojnë ato. Një kërkesë e tillë buron natyrshëm nga pretendimi se protestat jashtë Europës dhe SHBA nuk do të ndodhnin asnjëherë, nëse Perëndimi nuk do i mbështeste ato në fshehtësi.

Shkurt, paaftësia e Perëndimit për të kuptuar Rusinë nuk buron prej refuzimit të tij për të marrë seriozisht interesat legjitimë të Moskës. Ajo reflekton një dështim për të kuptuar se si Kremlini, në marrëveshje me pjesën më të madhe të botës, interpreton objektivat dhe qëllimet bazë të politikës së jashtme.

*Autori është Kryetar i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje – bota.al

SHKARKO APP