Galdini: Rilindja Urbane e Edi Ramës si Projekti Shkup 2014 i Gruevskit
Lajme E Mërkurë, 21 Prill 2021 09:20
Në një deklaratë për shtyp ditën e sotme, Kryetari i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë Arian Galdini shprehet se :”Qeveria Rama pasi ka zaptuar çdo copëz pushteti publik e financiar, e ndërsa po bën gjithçka mundet për të poshtëruar apo asgjësuar të gjitha pushtetet që nuk zapton dot, ka nisur një tjetër Projekt shkatërrimtar të cilin e ka quajtur si Rilindje Urbane. Duke qene se nuk zapton dot pushtetin e qytetarëve të lirë, aktivizmit civil, zërave publikë me integritet të lartë, kritikëve, kundërshtarëve, Opozitës, apo të Institucioneve Shtetërore te Pavarura apo të tjetërkujtkontrolluara, Edi Rama ka shpallur luftën e tij frontale të poshtërimit, shpërfilljes apo asgjësimit ndaj ketyre pushteteve.
Paralelisht, po zbaton edhe Projektin e tij të zaptimit të hapësirave publike nën petkun e Rilindjes Urbane. Mendësia zaptuese e Edi Ramës reflektohet edhe në përdorimin e Estetikës si akt politik të bukurisë që vret. Edi Rama ushqen varfërinë me korupsion dhe trysni shtetërore e politike, ndërkohë që me Bukurinë që vret synon të heshtë të varfërit.”
Galdini vijon me deklaratën e tij duke shtuar se:”Një Projekt i ngjashëm është zbatuar edhe në Maqedoninë fqinje nga autokrati i koruptuar Nikolla Gruevski. Me Projektin e tij Shkup 2014, Gruevski e zhyti Maqedoninë në borxhe marramendëse dhe në një batërdi Mitologjizmash të rrejshëm. Monumentet dhe ndërtesat e Mitologjizmit Gruevskian, prodhuan një sinergji negative të një klime dasish dhe urrejtjeje ndëretnike e ndërpolitike, korupsioni politik, financiar dhe elektoral, si edhe një industri delinkuence të fortë elektorale. Pushteti dhe bandat e Gruevskit dhe Sasha Mihailovit grabisnin e gjobisnin biznese dhe sipërmarrje ekonomike dhe financiare, joshnin a shantazhonin kundërshtarët dhe kritikët politikë e në të njëjtën kohë plaçkisnin shtetin dhe zaptonin çdo pushtet që mund të zaptohej. Jemi pothuajse në të njëjtin skenar edhe ne Shqipëri. Edi Rama me Shullazin, Frroket, Doshët, Prengat, etj gjobit, shantazhon ose josh kundërshtarët apo kritikët e tij politikë, institucionalë, civilë, ekonomikë, financiarë, mediatikë apo publikë. Me Rilindjen Urbane, njëlloj si Gruevski na fut në një epokë Mitologjizmi Qesharak dhe të errët për ti bërë vend egos dhe mitit të tij personal. Ngre Kulla e bën beton ngado. Tek Parku i Liqenit bën Kulla dhe një Keshtjellë betoni që e quan Kënd Fëmijësh. Tek rrethrotullimi përballë Filologjikut bën Kullë, tek Këndi i Fëmijëve 7 xhuxhat prish Këndin e Fëmijëve dhe bën Kullë, Stadiumin Kombëtar e bën me Kullë, e kështu me rradhë. Ky Kryeministër e ka ndarë mendjen që të na varfërojë xhepat për të na blerë votat, na varfëron mendjet për të na blerë shpirtrat, e na zapton hapësirat publike për të na kontrolluar jetët. Ky Gruevsk i ri i Ballkanit nuk duhet lejuar, sepse Mitologjizmin e tij të zi, ky e çon vendin drejt thellimit të borxhit publik, konfliktualitetit dhe urrejtjes, dhe shoqërinë e zhyt në mjerim e pashpresësi. Koha e Liderëve të Mitologjizmit ka mbaruar. Kjo është koha e qytetarëve dhe Humanizmit.”